Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=6941]

Në GKA do të hapet këtë javë ekspozita “Manipulations” e artistit Adrian Çene. Kjo është ekspozita e parë e artistit në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Çene është një prej artistëve modernë shqiptarë (lindur në 1969), dhe është diplomuar për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1992. Ai jeton dhe punon në Tiranë. Krijimtaria e tij ka kaluar përmes përshtatjes së kërkimeve individuale në botën e pafund të trajtesave që arti i ditëve të sotme i sugjeron çdo artisti. Në këto 20 vite krijimtari Çene është dalluar për një pikturë stilistike foviste, ku dominon ekspresiviteti figurativ i sendeve të abstraguara, kontrasti në marrëdhëniet e ngjyrave dhe përdorimi i një linje të plotë vizatuese.

Disa kohë më parë, rreth vitit 2009, përmes vizatimit, Adrian Çene mbivendoste imazhin e tij të imagjinuar mbi një imazh të dhënë, konkretet e të palëvizshëm fotografik. Fotografia mediatike dhe riciklimi i saj u bënë bazamenti fillestar i përpunimeve të Adrian Çenes, i cili ndjeu se duke manipuluar imazhe të tilla përmes pikturimit dhe veçimit të detajit, që e ngacmonte më shumë, krijonte një realitet të ri, të ndryshëm nga piktura me vaj, por të afërt me procesin dhe lojën e tij foviste të ushtruar vite me radhë. Në këtë proces ai e çrregullon imazhin ekzistues dhe ia ndryshon informacionin fillestar, por nuk ia humb zanafillën apo imazhin e memorizuar.

Pikturat në këtë ekspozitë janë një imazh jo real, i abstraguar përmes ngjyrave, të cilat vijnë me një gjuhë shumë më të qetë, janë më pak kontrastuese dhe anojnë drejt plotësisë dekorative. Në ekspozitë do të paraqiten rreth 70 punime në teknikën tempera-akrilik mbi letër dhe akuarel mbi letër.

GKA, 6 – 24 gusht 2014{:}