Ministry of Economy, Culture and Innovation

E nderuar Kryetare e Kuvendit ,

Të nderuar Deputetë,

Jam sot përpara jush për t’ju prezantuar projektligjin për “Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e Sigurimeve Shoqërore”, i cili ka si qëllim mbrojtjen shoqërore për shtetasit e të dy vendeve, bazuar në përvojën ndërkombëtare dhe legjislacionet respektive në fuqi.

Përmes saj, konfirmojmë edhe një herë vullnetin dhe angazhimin e qeverisë Shqiptare dhe qeverisë Italiane për thellimin e bashkëpunimit dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve tona diplomatike.

Italia, mbetet një partner i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar për Shqipërinë, duke ndarë gjithashtu një prioritet të përbashkët, siç është kontributi për stabilitetin dhe prosperitetin e mëtejshëm të rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

Projektligji që paraqesim sot shënon një garanci shtesë për qytetarët e të dy vendeve tona.

Marrëveshja garanton që asnjë qytetar nuk humbet asnjë ditë kontribute, pavarësisht prej vendit ku ka punuar, duke mundësuar plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Gjithashtu, konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema Shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore të cilat përfshijnë:

a) sigurimin për pleqërinë, invaliditetin, dhe pensionin familjar (pasjetuesit);

b) sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen;

c) sigurimin e papunësisë.

Përfitimet nga skema Italiane e sigurimeve janë:

a) sigurimin e përgjithshëm të detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar (artizanë, tregtarë, fermerë) dhe trajtimin e ndarë të këtij sigurimi të përgjithshëm të detyrueshëm;

b) sigurimin për përfitimin për sëmundjet, ku përfshihen edhe tuberkulozi dhe barrëlindja;

c) sigurimin e papunësisë;

d) skemat e posaçme zëvendësuese dhe të veçanta të sigurimit, të krijuara për kategori të caktuara punonjësish, mbasi ato u referohen shërbimeve ose rreziqeve që mbulohen nga legjislacionet e treguara në shkronjat e mëparshme.

Zbatimi i marrëveshjes nuk do të ketë efekt financiar të menjëhershëm, pasi e drejta për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore shtetasve Shqiptarë ju lind në një periudhë të dytë, kur ata të kenë mbushur moshën për pension.

Parimet themelore të saj janë:

Totalizim i periudhave: nënkupton bashkimin e periudhave kontributive për të përmbushur afatin prej 15 vitesh që duhet për tu kualifikuar për të përfituar pension.

Eksportim të përfitimeve: nënkupton që çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ai ndodhet.

Ruajtja e të drejtave të arritura: parashikon që periudhat e sigurimit të realizuara në një shtet të njihen edhe nga shteti tjetër, me kusht që ato të mos mbivendosen;

Përcaktimi i legjislacionit të zbatueshëm: Parashikon zbatimin vetëm të legjislacionit të njërit shtet;

Trajtimi i barabartë: Ju mundëson shtetasve të kenë të njëjtat të drejta dhe detyrime lidhur me mbrojtjen shoqërore si vendasit;

Biznese Italiane në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar Tregtar, rezultojnë 5775 biznese me të paktën një ortak (individ ose shoqëri) me shtetësi italiane me status aktiv që operojnë në Shqipëri, nga të cilat:

· 28 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Beratit;

· 6 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Dibrës;

· 902 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Durrësit;

· 89 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Elbasanit;

· 148 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Fierit;

· 14 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Gjirokastrës;

· 28 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Korçës;

· 5 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Kukësit;

· 78 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Lezhës;

· 136 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Shkodrës;

· 3884 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Tiranës;

· 457 kompani janë të lokalizuara në qarkun e Vlorës.

Nga këto kompani rezulton se:

· 4605 kompani janë 100% me pronësi Italiane;

· 1170 janë kompani të përbashkëta (Shqiptare – Italiane).

Nga Ministria e Brendshme rezulton se:

Në vitin 2022 kanë qenë 2948 shtetas Italianë në Shqipëri.

Në vitin 2023 kanë aplikuar për herë të parë 1005 shtetas Italianë.

Rreth 3953 shtetas Italianë janë aktualisht në Republikën e Shqipërisë me leje qëndrimi.

Ndërsa mbi 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Itali, pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje duke e prekur skemën qoftë edhe me një vit.

Qeveria Shqiptare mbetet e angazhuar në garantimin e mbrojtjes shoqërore të shtetasve të saj, kudo ku ata jetojnë dhe punojnë.

Nga viti 2005 e në vazhdim kemi nënshkruar një sërë marrëveshjesh: Me Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë (marrëveshje e vjetër), Kanadanë, Rumaninë, Kosovën, me Konfederatën Zvicerane dhe me Kroacinë në datën 01.05.2024.

Presim hyrjen në fuqi të marrëveshjes me Malin e Zi dhe me Bullgarinë (marrëveshje e re), dhe marrëveshje në proces kemi Poloninë, dhe Serbinë duke bërë të mundur që të përfitojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë territorit të vendit.

Kanë shprehur dakordësi vende si: Sllovenia, Spanja ,Danimarka, Moldavia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe në proces të përparuar për marrje dakordësie për fillimin e negociatave Republika e Francës.

Në përfundim të fjalës sime më lejoni t’ju shpreh angazhimin e plotë të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të rritur numrin e marrëveshjeve sidomos me vendet e Bashkimit Evropian dhe shtetet të cilat punojnë e kontribojnë shtetasit shqiptarë.

Faleminderit!