Ministry of Economy, Culture and Innovation

“E ardhmja e skenës kulturore është decentralizimi, skena e pavarur, por për këtë duhet punë , emancipim dhe dialog”- u shpreh Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro gjatë nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Skenës së Pavarur Kulturore.

Në ambientet e MK-së u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Skenës së Pavarur Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës për bashkëpunimin dhe konsultimin paraprak për ndryshimet në ligjin “Për Artin dhe Kulturën” .

Ky memorandum është hapi i parë juridik drejt këtij rrugëtimi.

“Beteja jonë e përbashkët”- e cilësoi përpjekjen për të zhvilluar dhe forcuar mekanizmat në zhvillim të kulturës, përfaqësuesi i SPK-së, Andi Tepelena, duke shtuar se “Kurorëzojmë sot këtë memorandum si akt angazhimi reciprok. Në javën përpara hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE gjej rastin të theksoj se Kultura është mjeti më i mirë për ta çuar Shqipërinë në Evropë”.

Skena kulturore shqiptare ka vuajtur pasojat e periudhës së gjatë të centralizimit, kohë kur krijimtaria artistike prodhohej vetëm nga institucionet shtetërore. Në gjithë këto vite kemi një konfuzion dhe mangësi në politika kulturore, që kanë frenuar zhvillimin dhe emancipimin e skenës së pavarur.

Në vijim të politikave të MK-së për të nxitur krijimtarinë përmes thirrjeve të hapura, krijim i një sistemi të qëndrueshëm e transparent i shpërndarjes së fondeve, politika për të rritur cilësinë artistike, garantim e respektim i të drejtës së autorit, etj, Ministria e Kulturës nenshkroi me SPK-në një Memorandum Mirëkuptimi përmes së cilës të dyja palët do të angazhohen në hartimin e një kuadri ligjor me qëllim një reformë të plotë të Artit dhe të Kulturës të bazuar mbi Strategjinë Kombëtare të Kulturës që është duke përfunduar në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Europës.

Përfshirja e ekspertëve vendas dhe të huaj në draftimin e ligjit do të ndihmojë për ta bëre ligjin më të qëndrueshem dhe më afër standarteve evropiane.

Kumbaro shprehu angazhimin e institucionit që ajo drejton për të ndihmuar financiarisht shoqatat shqiptare që aplikojnë në Creative Europe, duke patur parasysh vështirësitë ekonomike me të cilat përballen, si dhe bëri me dije se “Kemi nisur punën për rishikim të ligjit të sponsorizimeve, ku çdo sugjerim mbetet i mirëpritur”.

Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga Zëv.Ministrja e Kulturës, Valbona Shujaku dhe Andi Tepelena, përfaqësues i SPK-së.

Skena e Pavarur Kulturore (SPK) është RRJETI më i madh kulturor në Shqipëri, i përberë nga organizatat ndër më të të njohurat dhe aktivet në fushën e artit dhe kulturës. SPK është krijuar më 4 Maj 2013. Qëllimi i këtij RRJETI është të ndërtojë një skenë kulturore të qëndrueshme, nisur nga mungesa e faciliteteve për veprimtaritë kulturore e artistike, mosfinancimi dhe pabarazia e aksesit ndaj fondeve publike për artin dhe kulturën në Shqipëri.{:}