Ministry of Economy, Culture and Innovation

“Investimi në kulturë dhe kreativitet për zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim”

 

Në datën 19 Nëntor 2019, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti mori pjesë në Forumin e Ministrave të Kulturës, në UNESCO. Një takim i këtyre përmasave nuk ishte zhvilluar që prej 21 vjetësh. Hera e fundit ishte viti 1998, në Stockholm.

Në këtë takim, i cili zhvillohej në kuadrin e sesionit të dyzetë të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, morën pjesë përfaqësues nga 120 vende të botës. Tema qendrore e këtij Forumi ishte “Kultura dhe politikat publike për zhvillimin e qëndrueshëm”.

“Çdo zë meriton të dëgjohet, pavarësisht gjinisë. Dhe përmes kulturës ne mund ta bëjmë këtë që të ndodhë”, u shpreh në fjalën e hapjes së Forumit, Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.

“Na ndajnë 20 vjet nga ky takim ndërkombëtar i ministrave të kulturës dhe prej atëherë, faqja e botës ka ndryshuar. Kultura ka një rol fondamental në sfidat e këtij shekulli. Përballë thyerjeve globale dhe bllokimit të disa platformave institucionale, është gjuha e përbashkët, që rrëzon barriera”, tha ajo.

Përgjatë takimit u diskutua mbi katër tema:

-Kultura dhe trashëgimia, një energji e rinovueshme për dialog dhe paqe.

-Kultura në zemër të edukimit, një dimension themelor për zhvillimin njerëzor dhe inovacionin.

-Investimi në kulturë dhe kreativitet për zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim

-Kultura në hapësirën publike, një forcë lëvizëse për transformimin urban dhe social

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti referoi mbi temën “Investimi në kulturë dhe kreativitet, për zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim”, duke ndarë me të pranishmit hapat e ndërmarra përgjatë viteve të fundit nga qeveria shqiptare në kulturë dhe trashëgimi kulturore, me qëllim që kjo e fundit të kthehet në një motor zhvillimi ekonomik.

Duke u ndalur në tri pika kyçe, ministrja Margariti u ndal së pari në turizmin kulturor:

“Janë bërë përpjekje të veçanta për të shfrytëzuar vendet e trashëgimisë dhe monumentet si mundësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke promovuar këto destinacione, por edhe produktet e komuniteteve lokale rreth këtyre zonave të mbrojtura, duke financuar projekte të ndryshme, që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe mirëqenien e komuniteteve lokale të interesuara, gjë që çon në rritjen e punësimit në këto rajone.

  • Së dyti, qeveria po zbaton Programin “100 Fshatrat”, që konsiston në rehabilitimin në nivel lokal në të gjithë vendin, dhe sheh përtej zonave urbane, përtej qyteteve të mëdha, përtej bregdetit. Ky projekt synon të sjellë 100 shembuj, 100 realitete të ndryshme, përmes projekteve dhe investimeve të vogla, por të përshtatura me qëllim zhvillimin e 100 zonave të zhvillimit ekonomik, duke përdorur kryesisht kulturën, trashëgiminë natyrore, traditën dhe kapacitetet lokale. Shqipëria është e bekuar me një larmi të pasur natyrore e të kulturave lokale, traditave, festivaleve, kuzhinës. Ne duam t’i mbrojmë ato dhe t’i zhvillojmë më tej.
  • E treta: Mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore jo-materiale, e cila është në një mënyrë e lidhur me atë materiale, por shkon shumë më larg. Trashëgimia kulturore materiale dhe jomateriale janë anët e së njëjtës monedhë.

Trashëgimia jomateriale kërkon një vëmendje të veçantë. Nëse deri më sot ajo është ruajtur nga individë, bartës të traditës, thjesht në mënyrë orale, në kushtet e zhvillimit të shpejtë të tekologjisë dhe mediave sociale, presioni mbi të është shumë i lartë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se pa kujdesin dhe mbështetjen e duhur, ajo mund të zhduket dhe ne nuk mund ta lëmë këtë që të ndodhë. Së pari, sepse është pjesë e identitetit tonë, por edhe sepse kontribuon në mirëqënien e komuniteteve lokale”.

Forumi i Ministrave të Kulturës shërbeu si një tryezë diskutimi dhe shkëmbimi të eksperiencave të ndryshme, me qëllim që kultura të vendoset në qendër të vëmendjes së politikave publike.

{:}