Ministry of Economy, Culture and Innovation

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti takon homologët nga Greqia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut

 

Forumi i Ministrave të Kulturës, organizuar nga UNESCO, në Paris shërbeu jo vetëm si një tryezë shkëmbimesh eksperiencash, por edhe si një pikë takimi mes homologësh. Gjatë qëndrimit në Paris, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi takime me Ministrat e Kulturës të Greqisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një tjetër takim i rëndësishëm ishte edhe ai me Drejtoren e UNESCO World Heritage Center, Znj. Mechtild Rössler. Gjatë këtyre takimeve ministrja Margariti u shoqërua nga Ambasadori i Shqipërisë në Unesco, Z.Ferit Hoxha, Sekretarja e Përgjithshme e MK, Entela Çipa, Drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani etj.

-Gjatë takimit me Drejtoren e UNESCO World Heritage Center, Znj. Mechtild Rössler, në datën 18 nëntor 2019, u diskutua mbi të gjitha aspektet, që lidhen me pronat e regjistruara në listën e trashëgimisë kulturore, në veçanti për hartimin e planit të menaxhimit të Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës; për raportin që shteti shqiptar do të dorëzojë në 1 shkurt 2020 në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për rekomandimet e lëna prej saj për Rajonin e Liqenit të Ohrit.

Znj. Rössler shprehu vlerësimin për draftin e Planit të Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit, duke shprehur mbështetjen e plotë për këtë mënyrë menaxhimi, duke iu referuar edhe disa rekomandimeve të ICOMOS dhe ICCROM.

-Në datën 19 nëntor 2019, Ministrja Margariti zhvilloi një takim me Ministren greke të Kulturës dhe Sportit, znj. Styliani Mendoni, me të cilën u diskutuan mbi bashkëpunimet e ardhshme në fushën e arkeologjisë, muzeologjisë, konkretizimin përmes një kalendari të përbashkët ëorkshop-esh gjatë 2020, për mbështetjen e të rinjve, për zhvillimin e industrisë kreative, për ngritjen e kapaciteteve dhe specializimin në rivlerësimin e veprave të artit etj.

Znj. Mendoni shprehu gatishmërinë e plotë për të ofruar konsulencë, sidomos në fushën e trashëgimisë kulturore.

-Në datën 20 nëntor 2019, Ministrja Margariti zhvilloi një takim me Ministrin serb të Kulturës, Vladan Vukosavljević.

Homologu serb shprehu interesin për shkëmbime në fushën e muzikës lirike dhe asaj tradicionale, duke iu referuar suksesit të bashkëpunimeve të mëparshme, në fushat përkatëse . Ai u shpreh i gatshëm, që aktivitete të përbashkëta të zhvillohen prej sezonit të ardhshëm artistik.

Në veçanti ai u interesua mbi zhvillimin e artit pamor në Shqipëri. Ministrja Margariti e njohu me projektin e rikonstruksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve, i cili do të shndërrohet në Muzeun e Arteve të Bukura, por edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në aktivitete ndërkombëtare, si Bienalja e Venecias.

“Kemi shumë hapësira, në të cilat mund të zhvillojmë aktivitete të përbashkëta. Ruajtja e trashëgimisë kulturore është shumë e rëndësishme, por nga ana tjetër duhet të shohim edhe perspektiën e të rinjve dhe këndvështrimin e tyre mbi artin”, tha  Vukosavljević.

-Po ashtu, Ministrja e Kulturës takoi edhe Ministrin e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili.

Biseda u përqëndrua mbi angazhimet e përbashkëta dhe mbledhjen e radhës për Rajonin e Ohrit, pjesa shqiptare e së cilit iu bashkua listës së pasurive botërore, pak muaj më parë; për ngritjen e Qendrave Kulturore dhe Informative në të dyja vendet dhe organizimin e aktiviteteve kulturore, në fusha të ndryshme.

{:}