Ministry of Economy, Culture and Innovation

në foto: Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi dhe Presidenti i Institutit Francez Xavier Darcos)

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi ka nisur vizitën e saj në Francë nga data 29 janar-3 shkurt, një vizitë e rëndësishme kjo për vendin dhe kulturën shqiptare. Synimi kryesor i takimeve të shumta është kontributi i kulturës shqiptare në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në Europë, por edhe forcimi i lidhjeve mes dy vendeve tona në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore si ura komunikimi dhe shkëmbimi të vlerave reciproke.

Imazhi i Shqipërisë në Francë është  i njohur tashmë, me potencialin e saj krijues, falë aktivitetit të artistëve në Francë si Ismail Kadare, Angjelin Prelocaj, Liria Begeja, Anri Sala, Inva Mula, etj. Këto lidhje janë një pikë e fortë për të dy vendet. Kjo vizitë është rasti për të theksuar këto lidhje, sepse kultura shqiptare mund të bëjë të mundur krijimin e imazhit të një Shqipërie evropiane. Kjo vizitë e rëndësishme është e fokusuar në disa drejtime kryesore  :

Pozicionimi i Shqipërisë në rrjetin e partnerëve kulturorë të Francës, si në planin e arteve dhe të trashëgimisë ashtu edhe në fushën e frankofonisë.

Përfundimi i projekteve konkrete të bashkëpunimit me shumë institucione kulturore franceze, veçanërisht në fushën e formimit profesional dhe të edukimit artistik.

Ndërgjegjësimi i përfaqësuesve institucionalë franceze për rolin e projektit për një  stinë kulturore të ndërthurur Francë-Shqipëri në  vitin 2016-2017, me rastin e 100-vjetorit të pranisë franceze në Shqipëri.

Në axhendën e takimeve të Ministres Kumbaro , ishte dhe ai me drejtorin e Muzeut të Louvre-it z. Jean Luc-Martinez, me të cilin u diskutuan shkëmbime dhe trajnime specialistësh dhe krijimi i një ekspozite që intereson të dy vendeve tona.

Ministrja Kumbaro Furxhi u takua me Presidentin e Institutit Francez Xavier Darcos. Në qendër të bisedës shkembime në nivel akademik mes dy vendeve dhe mbështetje për edukimin përmes artit. Takime të rëndësishme të Ministres Kumbaro me z.Kishore Rao,Drejtor i Qendres seTrashëgimisë Kulturore-UNESCO, në Paris dhe znj. Cecile Duvelle,Shefe e Sektorit te Trashëgimisë Shpirtërore ne UNESCO; Ministrja garantoi të gjithë vullnetin dhe punën e institucionit të Ministrisë së Kulturës për qendrat historike të mbrojtura nga UNESCO; Në takim mori pjesë z.Pierre Loungheretti, këshilltar special në kabinetin e Ministres Kumbaro dhe Besiana Kadare, ambasadorja e Shqipërisë për Unesco-n.

Të enjten në mbrëmje u mbajt koncerti i violinistit Alban Pengili në Paris, organizuar nga ambasada e Shqipërise në kuadër të aktiviteteve “Për një imazh të ri të Shqipërisë në botë”, në Bashkinë e Parisit 7, ora 18.00. Me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi, ambasadorit Dritan Tola dhe shumë personaliteteve franceze dhe shqiptare që jetojnë në France.

Ministrja Kumbaro vazhdon vizitën e saj në Francë ku do të takohet me Ministren e Kulturës Aurelie Filippetti, Yves Bigot-Drejtor i Përgjithshëm i TV5Monde, z. Philippe Belaval, President i Qendrës së Monumenteve, z. Angjelin Prelocaj, e të tjerë personalitete të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kulturore.{:}