Ministry of Economy, Culture and Innovation

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka zhvilluar një takim online me presidenten e re të Cinecitta-së dhe përfaqësues të tjerë të “gjigandit” italian, për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për të konsideruar të gjitha mundësitë për ngritjen e muzeut, që do të rrëfejë historinë e filmit shqiptar.

“Tanimë që punimet për Parkun e Artit kanë nisur, ngritja e një muzeu që të rrëfejë historinë e filmit shqiptar, brenda hapësirave të ish-Kinostudios është edhe më e prekshme”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti, pas bisedës me presidenten e Cinecittà-së, Chiara Sbarigia, drejtorin e arkivit historik “Luce”, Enrico Bufalini dhe regjisorin e një nga kuratorët e MIAC (Museo Italiano del Cinema e dell’Audiovisivo, Cinecittà), Roland Sejko.

“Gjatë takimit parashtruam mundësitë e bashkëpunimit, marrjen e eksperiencës, ngritjet e grupeve të punës, për të kaluar në terma konkretë për realizimin e këtij projekti, por edhe për zgjidhjen e disa problematikave siç është restaurimi dhe digjitalizimi i arkivit të filmit”, tha Margariti, e cila ftoi ekspertët italianë në Shqipëri për të vizituar vetë hapësirat e Parkut të Artit, në ndërtim e sipër.

Tashmë punimet për ndërtimin e Parkut të Artit kanë nisur. Projekti i mbështetur nga Bashkimi Europian me një shumë prej milion eurosh parashikon krijimin e hapësirave në shërbim të artistëve të rinj, për ekspozim, por edhe për krijimin e sipërmarrjeve të reja. Do të krijohen parqe për fëmijë dhe hapësira të gjelbra për komunitetin lokal. Sipas Margaritit, pritet që kjo zonë të shndërrohet në një pol të ri kulturor në qytet, jo më në qendër të qytetit, por në periferi të tij, duke krijuar të tjera mundësi zhvillimi për zonën.

{:}