Ministry of Economy, Culture and Innovation
Një projektligj me natyrë teknike, por me një ndikim thelbësor për të gjitha sipërmarrjet tona eksportuese. Ky akt ligjor siguron vijueshmërinë e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke mbrojtur stabilitetin e zinxhirit të furnizimit, si dhe duke krijuar kushte më të favorshme për prodhuesit shqiptarë që eksportojnë në tregjet europiane dhe më gjerë.
Ky projektligj është jetik për sipërmarrjet prodhuese dhe eksportuese shqiptare, të cilat kanë përjetuar një vit shumë pozitiv, me eksportet që në vitin 2024 arritën gati 4 miliardë euro. Duke garantuar vijueshmërinë e tregtisë pa barriera, ai ndihmon veçanërisht sektorët e industrisë, bujqësisë, tekstileve, mineraleve dhe produkteve “Made in Albania” të depërtojnë më tej në tregjet ndërkombëtare.
Duke miratuar këtë projektligj, Shqipëria shmang rrezikun e ndërprerjes së tregtisë me BE-në, vendet e CEFTA-s dhe Turqinë, të cilat përbëjnë partnerët tanë kryesorë ekonomikë.
Ky është një hap domethënës drejt objektivit të një kuote historike eksportesh prej 5 miliardë eurosh në vit, duke siguruar që Shqipëria të forcojë pozitat e saj si një vend prodhues dhe eksportues, konkurrues në rajon dhe më gjerë!