Ministry of Economy, Culture and Innovation

Pas vizitës së Presidentit Emmanuel Macron në Shqipëri dhe takimit me Ministren e Deleguar të Francës për Inteligjencën Artificiale dhe Digjitalin, znj. Clara Chappaz, me të cilën nënshkruam Planin e Veprimit për Inovacionin Shqipëri–Francë, patëm kënaqësinë të takohemi sërish në kuadër të pjesëmarrjes sonë në VivaTech, një nga ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Europë.

Për herë të parë, Shqipëria u përfaqësua me një stendë të dedikuar, duke prezantuar energjinë dhe potencialin e ekosistemit tonë të inovacionit, sipërmarrjet e zhvilluara, startup-et premtuese dhe vizionin për një të ardhme digjitale dhe të gjelbër.

Vizita e Ministres Chappaz në stendën shqiptare ishte një sinjal i qartë i thellimit të bashkëpunimit me Francën në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Ky partneritet strategjik përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt objektivit tonë për ta pozicionuar Shqipërinë si një qendër të njohur evropiane për inovacionin e qëndrueshëm.