Ministry of Economy, Culture and Innovation

Fotografitë: Antonio Fantasia
Video: Erion Gjatolli, Antonio Fantasia

Ky është një udhëtim natën përmes vendeve të braktisura të Shqipërisë socialiste. Vende, që dikur ishin simbole të një regjimi totalitar ndërsa sot janë emblemë e sfidës së institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në përballjen me të shkuarën e mundimshme të regjimit.

Shumë shpesh, e shkuara socialiste e Shqipërisë qëndron e pavënëre. Por mbetet gjithsesi në mendjet dhe kujtimet e njerëzve, merr trajtën e frikës dhe padrejtësive të mbetura të pandëshkuara. Një e shkuar thjesht e pathënë, e larguar nga drita e diellit, nga drita e ndërgjegjes. Veçse ndonjëherë kthehet natën për t’iu fanitur të mbijetuarve. Godinat e fotografuara rrëfejnë këtë të shkuar që hiqet si e harruar. Ato lartësohen në vijën e horizontit të qytetit apo shndërrojnë territorin përreth. Janë godina të harruara – të pashembura e të pashfrytëzuara për qëllime të tjera. Shpesh janë pa pronarë dhe numri i saktë nuk njihet. Së bashku, përfaqësojnë të gjitha aspektet e jetës sociale dhe politike gjatë regjimit: industrinë, godinat ushtarake, sistemin hekurudhor, aeroportet, minierat, burgjet, kampet e punës, radiostacionet, statujat, monumentet dhe mauzoletë, rezidencat për nomenklaturën, vendet e pushimit. Ky udhëtim bashkon fotografitë me dëshmitë e njerëzve që i kanë përjetuar këto vende gjatë regjimit apo që janë të angazhuar sot me projekte rijetëzimi të tyre. Synimi është të rivendoset kujtesa kolektive dhe historike që lidhet me këto vende për t’i rimenduar dhe imagjinuar si peizazh kulturor dhe si burim për zhvillimin vendor. Rrënojat e një sistemi politik të shembur së fundmi, “zona të ndaluara” e shkuara e të cilave është ende e dukshme, mund të “zbulohen” nga artistë, planifikues, arkitektë, përfaqësues të komunitet dhe aktivistë si hapësira të artit publik, të përvetësimit kulturor, turizmit, prodhimit artizanal apo për qëllime të tjera përshtatjeje dhe ripërdorimi. Pjesë nga intervistat e mbledhura do të shfaqen në ekspozitë.

Projekti është i vetëfinancuar. Fotografitë janë në shitje, në edicion të kufizuar, ndërsa përfitimet do të përdoren për botimin e një libri.

28 qershor – 9 korrik 2016 @, Galeri Zeta{:}