Ministry of Economy, Culture and Innovation

NJOFTIM PËR SHTYP

 

Tiranë, më 15. 02. 2023

 

Subjekti: Nisja e punimeve për Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë

 

Me praninë e kryeministrit Edi Rama, Ministres së Kulturës, Elva Margariti, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, komunitetit artistik e pedagogjik, arkitektëve dhe vetë fëmijëve u zhvillua sot një ceremoni simbolike e fillimit të punimeve për ngritjen e Qendrës së re Kombëtare Kulturore për Fëmijë.

Në fjalën e tij kryeministri Rama u shpreh se kjo qendër të cilën ua kemi borxh fëmijëve, së bashku me Bibliotekën Kombëtare, do të jetë një pikë graviteti për kulturën dhe artin.

Në inspektimin e fillimit të punimeve ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se “asnjëherë më parë Tirana nuk ka pasur kaq shumë kantierë të hapur njëkohësisht.

E megjithatë, edhe investimet që ne po bëjmë, dhe nuk ndalen këtu, nuk do të kishin asnjë kuptim nëse nuk do të investonim te artistët dhe spektatori i së ardhmes; te fëmijët tanë që do të ngjiten në skenë për të performuar apo që do të mbushin sallat për të shijuar artin.

Dhe sot është dita që materializojmë një nga ëndrrat tona si fëmijët e dikurshëm, ëndrrat e fëmijëve tanë, të mësuesve, artistëve. Sot vendosim gurin e themelit të një qendre dinjitoze, në këtë kënd të Tiranës, ku po hedh shtat një pol i ri kulturor, një zinxhir vijimësie mes brezash, që nga fëmijët, te studentët dhe artistët e së ardhmes…”.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shtoi se “sot i japim fund legjendave urbane me kulla. I kthejmë gjysmën e pronës së Gardës si park, si pronë publike dhe gjysmën tjetër ia japim kryeqytetit si dy troje ku do të zhvillohen dy superprojekte, Qendra e Fëmijëve dhe Biblioteka Kombëtare”.

Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave, me sipërfaqe rreth 5500 m2, pranë Liqenit Artificial të Tiranës, do të jetë një pol kulturor multifunksional, i dedikuar fëmijëve.

Do të jetë një sipërfaqe e shfrytëzueshme për aktivitete social-kulturore, ku përfshihen sipërfaqe skenike, performuese, klasa aktrimi, kërcimi, muzike, pikture, skulpture etj. Si dhe ambiente ndihmëse për sallën e teatrit, punishte për skenografinë, kostumografinë, krijimin e kukullave, garderobë, ambiente teknike, zyra për administratën, kafe/restorant. Qendra do jetë multifunksionale, duke ofruar hapësirat për aktivitete të ndryshme për fëmijët e grupmoshave 3-12 vjeç.

Gjithnjë e më tepër lind nevoja për një qendër të re artistke e kulturore për fëmijët, për të zhvilluar aftësitë e tyre, për t’i qasur me librin, për të nxitur ndjenjën komunitare; një qendër që do të ketë hapësira të dedikuara edhe për prindërit, që nga ato që ofrojnë lehtësira praktike (ambiente për ruajtjen e sendeve personale apo kënde të posaçme për ushqimin e të vegjëlve), si salla takimi etj.

Vendndodhja e kësaj qendre pranë Parkut të Liqenit krijon mundësinë e lidhjes me natyrën, duke organizuar aktivitete brenda e jashtë ndërtesës. Ndërlidhja e fëmijëve me natyrën është pjesë e rëndësishme për zhvillimin e tyre, por edhe për kulturën e ruajtjes së mjedisit. Ndaj edhe do të ketë hapësira për aktivitete të përshtatura agrokulturore, arkeologjike apo dhe artistike.

Projekti do të shtrihet në 2 vjet, duke filluar zbatimin nga viti 2023, dhe do të kushtojë rreth 1 miliard lekë. Projekti parashikohet të mbulohet i gjithi nga fondet e buxhetit të shtetit.

 

MBI PROJEKTIN

Projektues: BOE iRi Studio shpk, XDGA shpk, Sphaera shpk.

Zbatues: BOE 2T shpk, RGR Group shpk, BE-IS shpk, Kaexhi shpk

Mbikëqyrës: HE-SK11 shpk

Investimi: 1,000,449,285.07 lekë (pa TVSH)