Ministry of Economy, Culture and Innovation

Në zbatim të Ligjit 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”, i ndryshuar, si dhe kërkesave dhe procedurës së përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, shpall konkursin për pozicionin:

DREJTOR I GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE

Klasa e pagës II-1

*Afati për dorëzimin e dokumenteve 22.07.2025

Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion:

  1. Drejtim Strategjik dhe Administrativ
  • Harton planin vjetor dhe afatgjatë të zhvillimit të institucionit.
  • Menaxhon buxhetin, burimet njerëzore dhe infrastrukturën e institucionit.
  • Siguron transparencë dhe efikasitet në përdorimin e fondeve publike.
  1. Kujdes për Koleksionin Kombëtar
  • Mbikëqyr ruajtjen, restaurimin dhe dokumentimin e veprave të artit.
  • Promovon digitalizimin dhe aksesin e publikut në arkivat artistike.
  • Funksion kryesor administrimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e fondit kombëtar të arteve të bukura, studimin, kërkimin, konceptimin, projektimin, mbikëqyrjen, konservimin, restaurimin, promovimin, publikimin, konsulencën dhe bashkëpunimin me subjekte publike e private, shqiptare apo të huaja, në fushën e arteve të bukura.
  1. Programim Artistik dhe Edukativ
  • Zhvillon ekspozita të përhershme dhe të përkohshme me vlerë historike dhe bashkëkohore.
  • Zhvillon projekte edukative për shkolla, të rinj, komunitete dhe artistë të rinj.
  • Ekspozimi i fondit, zhvillimi i aktiviteteve ekspozuese dhe hapja e ekspozitave të përkohshme rregullohen nga parashikimet e ligjit për artin dhe kulturën.
  1. Marrëdhënie me Publikun dhe Marketing
  • Zhvillon fushata komunikimi dhe promovimi për të rritur pjesëmarrjen publike.
  • Ndërton marrëdhënie me mediat, partnerët kulturorë dhe komunitetin.
  1. Bashkëpunim Kombëtar dhe Ndërkombëtar
  • Nxit partneritete me institucione artistike dhe akademike në vend dhe jashtë.
  • Përfaqëson Galerinë në rrjete, konferenca dhe evente ndërkombëtare.
  1. Përputhshmëria Ligjore dhe Raportimi
  • Zbaton ligjet dhe udhëzimet për institucionet publike të artit dhe kulturës.
  • Raporton në mënyrë të rregullt për performancën e institucionit

OBJEKTIVAT KRYESORE

  1. Forcimi i rolit të Galerisë si institucioni kryesor i artit në Shqipëri
  • Të zhvillojë dhe të implementojë politika dhe programe që pasqyrojnë dhe promovojnë artin shqiptar dhe trashëgiminë kulturore.
  • Të rrisë ndikimin institucional në skenën kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare.
  1. Mbajtja dhe zgjerimi i koleksionit kombëtar të arteve pamore
  • Të sigurojë ruajtjen, restaurimin dhe konservimin e koleksionit ekzistues.
  • Të shtojë koleksionin me vepra të reja të artistëve shqiptarë dhe të huaj, në mënyrë të planifikuar dhe të qëndrueshme.
  1. Zhvillimi i programeve ekspozuese dhe edukative cilësore
  • Organizimi i ekspozitave që përfaqësojnë larmi artistike dhe që tërheqin audienca të ndryshme.
  • Zhvillimi i programeve edukative për të rritur ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e publikut, sidomos të rinjve dhe komuniteteve lokale.
  1. Rritja e vizibilitetit dhe pjesëmarrjes publike
  • Të rrisë numrin e vizitorëve në galeri përmes marketingut efektiv dhe aktiviteteve kulturore.
  • Të forcojë komunikimin me publikun dhe media për të promovuar aktivitetet e Galerisë.
  1. Menaxhimi efikas dhe transparent i burimeve institucionale
  • Administrimi i mirë i buxhetit, stafit dhe infrastrukturës.
  • Sigurimi i raportimit të rregullt dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike dhe donacioneve.
  1. Ndërtimi i partneriteteve dhe bashkëpunimeve strategjike
  • Krijimi dhe forcimi i bashkëpunimeve me institucione kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare.
  • Pjesëmarrja aktive në rrjete dhe projekte bashkëpunuese, duke rritur prestigjin dhe aksesin në burime të reja.
  1. Garantimi i përputhshmërisë ligjore dhe zbatimit të politikave kulturore
  • Zbatimi i legjislacionit për institucionet kulturore dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare në menaxhimin e institucioneve muzeale.

KUSHTET PËR KONKURRIM DHE KRITERET E VEÇANTA:

1.1 Kandidati duhet të plotësojë kushtet për konkurrim si vijon:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  3. Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
  4. Të jetë në kushte shëndetësore, që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  5. Të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës;
  6. Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
  7. Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore.

 KANDIDATËT DUHET TË PLOTËSOJNË KËRKESAT E POSAÇME SI VIJON:

  1. Të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në shkenca shoqërore/menaxhimi/art, kulturë;
  2. Të ketë të paktën 5 vite përvojë pune në profesion, si edhe përvojë të konsiderueshme në drejtim dhe menaxhim në fushën e artit, si dhe në drejtimin e projekteve artistike;
  3. Të ketë përvojë në konceptimin dhe ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës;
  4. Të  ketë përvojë në menaxhimin e ekipeve dhe burimeve njerëzore;
  5. Të ketë përvojë në krijimin/vënien në jetë të strategjive financiare, me qëllim realizimin e projekteve;
  6. Të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme – si të sektorit publik ashtu dhe privat dhe t’i dëshmojë ato;
  7. Të ketë aftësi të dallueshme komunikimi në ruajtje dhe zhvillim të kontakteve, brenda dhe jashtë institucionit, si dhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë;
  8. Të ketë përvojë në menaxhimin e programeve/nismave, në përputhje me politikat e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
  9. Të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze. Gjuhë të tjera të huaja përbëjnë avantazh.

DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT

 Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

  1. Jetëshkrim (CV);
  2. Letër e shprehjes së interesit;
  3. Fotokopje të diplomës dhe të listës së notave të noterizuara;
  4. Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  5. Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  6. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  7. Vërtetim të gjendjes gjyqësore;
  8. Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.
  9. Platformë për administrimin dhe promovimin e Galerisë Kombëtare të Arteve

FUSHA E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË ZHVILLOHET INTERVISTA

Kandidatët do të testohen në lidhje me:

  • Njohuri mbi ligjin nr.7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Njohuri mbi Ligjin nr. 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”, i ndryshuar;
  • Njohuri mbi Ligjin nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar;
  • Njohuri mbi Ligjin nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”;
  • Njohuritë mbi Ligjin nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
  • Prezantimi i platformës për administrimin dhe promovimin e e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumenteve të bëhet brenda datës 22/07/2024, pranë Zyrës së
Protokollit, në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Adresa: Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë. www.meki.gov.al, e-mail: info@meki.gov.al