Ministry of Economy, Culture and Innovation

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, është çelur sot (e mërkurë 13 nëntor), në Pallatin e Kongreseve, Panairi i 16-të i Librit “Tirana 2013”. I shtrirë në të dyja katet e tij, me pjesëmarrjen e 94 ekspozuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia dhe me 1200 tituj të rinj, për pesë ditë me radhë Shoqata e Botuesve Shqiptarë do t’i ofrojë lexuesit një bibliotekë gjigande, takim me autorë, promovime dhe trajtim problematikash kryesore me të cilat ndeshet sot bota e botimeve. Në ceremonin e çeljes, e zhvilluar në sallën e konferencave, merrnin pjesë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu dhe Ambasadorja e Francës, Christine Moro.

Këtë vit Panairi i Librit i ka hapur dyert me moton “Pirateria dhe informaliteti po e vrasin librin”.

 

Në ceremonin e hapjes së panairit foli edhe Ministrja e Kulturës Znj. Mirela Kumbaro  Kumbaro Furxhi e cila ndër të tjera shtoi se; “Ministria e Kulturës mbështet në këtë panair mendimin krijues: çmimet letrare, mendimin e jurisë, debatet dhe promovimin e ideve dhe të leximit. Sepse ky do  të jetë një ndër objektivat tanë kryesorë. Faleminderit Zoti Ymeri për sugjerimet që i marrim me  po aq vëmendje sa dhe ato të krijuesve dhe të lexuesve dhe nuk dua të kthej këtë mikrofon në podium të programit politik të Ministrisë së Kulturës sepse kjo është skena e librit dhe e krijuesve të tij, por do të shpreh publikisht angazhimin për një tryezë të posaçme të parashikuar për librin si kulturë dhe jo thjeshtë si mall. Dhe po këtë vëmendje e kemi edhe ndaj piraterisë e pronësisë intelektuale për të cilën Ministria e Kulturës sa po ka ndërmarrë një kantier të parashikuar duke patur parasysh nenin 73 të MSA-s, pronësia intelektuale, industriale dhe tregtare” ka thënë Ministrja Kumbaro.

 

 

E përqendruar në këtë problematikë ka qenë edhe fjala e hapjes e mbajtur nga Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri.

“Duhet të flasim më shumë për librin, që lexuesi t’i perceptojë si instrumente të dijes dhe kënaqësisë, dhe si pjesë të pasionit dhe jetës sonë të përditshme. Sepse ne kemi vite që ne u biem burive të alarmit. Prej kohësh një politikë e drejtë, nxitëse vlerash e standardesh, mbështetëse për librin ka qenë çështje e ditës”, tha Ymeri në fjalën e tij. “Sot duhet të themi që një politikë e tillë është urgjente. Jemi duke përjetuar faktin e mbylljes së mjaft librarive ose pikave të shitjeve në Tiranë, në Fier e qytete të tjera. Kriza e pagesave është duke u rënduar gjithmonë e më shumë. Jemi në dy vite kur shitjet kanë rënë në përqindje mjaft të dukshme, 20 deri në 30 për qind. Numri i botimeve gjithashtu është ulur (1086 deri sot, krahasuar me 2866 te vitit te kaluar). Motivet ekonomike të krizës së përgjithshme, nuk arrijnë të shpjegojnë këtë dukuri që ka mjaft efekte të tjera, por pa dyshim është në radhë të parë një goditje ndaj dijes e kulturës, që lipset ta konsiderojmë si një infrastrukturë të vërtetë të vendit, pa të cilën nuk bëhet dot përpara. Nëse nuk ndërmerren shpejt politika publike për të mbështetur libraritë, do të mbeten fare pak prej tyre dhe aksesi tek libri do të ulet”.

 

Ndërsa Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi ka thënë se pothuaj dy muaj më parë Komisioni Europian shpalli fituesit e çmimit të Letërsisë së Bashkimit Evropian për vitin 2013 në Suedi.  Ky çmim sipas Sequi është një aktivitet shumë i rëndësishëm, sepse tërheq vëmendjen mbi autorët e rinj pak të njohur. “E përmend këtë sepse do të doja të inkurajoja edhe autorët shqiptarë të marrin pjesë dhe të aplikojnë për këtë çmim sepse p.sh. sivjet fituesit kanë qenë nga Bosnje Hercegovina dhe nga Maqedonia. Pse mos të ketë fitues edhe nga Shqipëria”.

Sequi ka trajtuar gjithashtu në fjalën e tij edhe problematikën e piraterisë. Ai ka thënë se Komisioni Evropian tregon vëmendje të veçantë sa i takon zbatimit të legjislacionit shqiptar për të drejtën e autorit dhe standardeve për të drejtën e autorit në Shqipëri, kjo në kuadër të angazhimeve që ka marrë qeveria shqiptare  dhe që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim

Ndërsa ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu e ka cilësuar krim që duhet ndërshkuar vjedhjen e të drejtës së autorit. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se vjedhja e pronësisë intelektuale nuk është problem vetëm për Shqipërinë. “Dua të flas për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Është me të vërtetë problem jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë botën. Ajo që ndodh me dhunimin e pronësisë intelektuale është në fakt vjedhja. Është krim, i privon njerëzit nga ajo që është e drejta e tyre, nga e drejta e autorit. Është gjithashtu inkurajuese që kjo qeveri është e angazhuar që të luftojë krimin në forma të ndryshme.”- deklaroi Arvizu. Ai theksoi vlerën e përkthimit i cili mundëson leximin në gjuhë të ndryshme i veprave të ndryshme. Ai shpjegoi se se Ambasada Amerikane ka ndërtuar tre kënde në Tiranë , Vlorë dhe Kukës ku ofron libra dhe internet falas.

 

Fjalë përshendetëse për të pranishmit ka mbajtur edhe Ambasadorja e Francës në Tiranë. Christine Moro. Kjo amabasadë ka qenë aktive në çdo panair libri këto vitet e fundit, por në këtë edicion programi i saj është edhe më i veçantë sepse do të bëhet një homazh i gjithanshëm i figurës së shkrimtarit të njohur francez Albert Kamy, me rastin e njëqind vjetorit të lindjes. Pas ka falenderuar organizatorët Moro ka theksuar se ditën e dytë të panairit, të enjten Jean Yves Guerin do të jetë protagonist i një aktiviteti të zgjeruar mbi krijimtarinë e Albert Camus. Përveç kësaj në stendën e Ambasadës Franceze do të ketë edhe një ekspozitë interaktive mbi jetën dhe veprën e tij. Pjesë e programit të panairit këtë vit është edhe çmimi për përkthyesin më të mirë në shqip, të librave të Albert Kamy-së.{:}