Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=6753]

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro vizituan sot ekspozitën “Katolicizëm dhe kulturë”, një kolazh veprash të personaliteteve katolike, emra të rëndësishëm të kulturës dhe artit shqiptar si; Buzuku, Bogdani, Bardhi, Fishta, Gjeçovi, e shumë të tjerë.

Ekspozita e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, përçon përmes veprave dialogun ndërfetar dhe tolerancën fetare në Shqipëri.

Drejtoresha e re e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani, në fjalën e hapjes u shpreh se ekspozita është konceptuar si një ftesë “për të kujtuar së bashku, jo vetëm kontributin që vjen nga kleri katolik dhe të gjithë njerëzit e këtij komuniteti, por për të ndjekur edhe atë rrezatimin e vazhdueshëm që vjen deri në ditët tona dhe shënjon edhe modernitetin tonë, shënon identitetin tonë europian, së bashku me një nga specifikat tona me të hijshme siç është bashkëjetesa dhe harmonia fetare.”

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në përshëndetjen e saj u shpreh se përmes kësaj ekspozite, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një rrugë të ndritur dhe të dhimbshme për shqiptarët, rrugën drejt identitetit europian, identitet ky i pamohueshëm. “Në këtë rrugë të hapur e të shtruar nga kontributi shekullor i katolicizmit, ne sot kemi fatin dhe mundësinë e madhe që të ecim dhe ta pasurojmë identitetin tonë kulturor dhe të gjitha diversitetet tona fetare të cilave iu përkasim. Kjo e vërtetë e madhe vjen nga një popull i vogël dhe merr një vlerë të rrallë në kohët tona të trazuara”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ndërsa Kryeministri Rama, teksa ftoi që kjo ekspozitë tejet domethënëse në përmbajtjen e saj të vizitohet gjerësisht, dha dhe lajmin se gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Papa Françesku do të sjellë enkas për Bibliotekën Kombëtare  një kopje të Mesharit të Gjon Buzukut.

Ekspozita “Katolicizëm dhe kulturë” e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, synon të hedhë dritë mbi një nga faktorët më të rëndësishëm të ngjizjes europianiste të kulturës sonë kombëtare: kontributi i personaliteteve dhe i formantes kulturore katolike brendashkruar asaj kombëtare.

Duke ndjekur paralelisht si zhvillimin kronologjik ashtu dhe atë gjinor e tematik, eksponantet e kësaj ekspozite janë përzgjedhur nga fusha të ndryshme të kulturës dhe të artit. Kjo përzgjedhje nxjerr në pah kontributet në:

Letërsi: me emra të rëndësishëm si Buzuku, Bogdani, Bardhi, Fishta, Gjeçovi, Mjedja, Harapi, At Zef Pllumi etj;

Filozofi (dhe estetikë): përmes personalitetit dhe veprës së filozofit Gjon Shllaku, mendimit estetik të Fishtës;

Arkitekturë: përmes veprës së Kolë Idromenos (me materiale vizive: projektet, dizenjimet e fasadave etj); përzgjedhjes së fotove të kishave më përfaqësuese për nga vlera arkitekturore në vend etj;

Muzikë: përmes veprës muzikore për piano dhe orkestër të At Martin Gjokës, ku si eksponant, përveç librit do të paraqiten partitura, dhe do të vendoset muzika në sfond;

Pikturë: e përfaqësuar nga piktori i vetëm i botës françeskane shqiptare Lin Delija, përmes një vepre përfaqësuese të tij.

Veprave të ndryshme që shprehin dialogun ndërfetar dhe tolerancën fetare në Shqipëri.{:}