Ministry of Economy, Culture and Innovation

“Të mendosh është e vështirë, prandaj shumica e njerëzve vetëm gjykojnë”, thotë Carl Jung. Të gjykosh, është patjetër shumë e lehtë dhe e natyrshme. Por, përpara se të biem secili nga ne në kurthin e preferencave dhe gjykimeve estetike, dua të përgëzoj sinqerisht një artist të rrallë, një shqiptar që çoi Pikason në Pekin e nga Pekini e shëtitjet e tij të tjera nëpër botë u kthye në vendlindjen e tij, për t’i dhuruar Shkodrës një vepër unike. “Çelësi Shqiptar” është me të vërtetë një momument me një simbolikë të jashtëzakonshme, që me fuqinë e artit rivitalizon plotësisht hyrjen e qytetit të Shkodrës.

Duke ardhur sot këtu, e përfytyrova për një moment veten si një turist, që duke ardhur nga larg ka parë fillimisht në horizont Kalanë e Rozafës, pastaj duke u afruar ka kaluar mbi pikëtakimin e Drinit me Bunën, ku dhe ka shquar konturet e Liqenit të Shkodrës. Një intro magjepse, që nuk është e denjë të ndërpritet brutalisht nga një rrethrrotullim pa ide, pa shpirt. Një intro e papërshtatshme për Shkodrën si një kryeqendër e jashtëzakonshme e trashëgimisë kulturore, e turizmit, ekonomisë, vlerave dhe qytetarisë. Por, mbi të gjitha e padenjë për Shkodrën Europiane 2030, një qytet që si pak të tjerë ka gjithçka dhe është në gjendje të ofrojë gjithçka! Thënë këtë, qëllimi i këtij monumenti është të hapë dyert e mikpritjes për këdo, e të mbyllë dyert e paragjykimit. Si i tillë, ai përbën një moment celebrimi edhe për këtë qytet, që ka qenë dhe vijon të jetë i pari për shumë gjëra. Qyteti i fotos së parë shqiptare, asaj të shkrepur në 1858-n e largët nga Pjetër Marubi. Qyteti i Bandës së parë muzikore shqiptare, në 1878-n.

Qyteti i klubit të parë të futbollit, Vllaznisë së vitit 1908. Qyteti i parë dhe në dijeninë time i vetëm me një qendër të quajtur Piacë. E duke kapërcyer dekada historie e kulture shkodrane, edhe nga sot qyteti i parë me një çelës që jam i sigurt se edhe falë punës së Benetit, do të çelë simbolikisht dyert e mëtejshme të zhvillimit për Shkodrën. Pa u zgjatur shumë dhe duke lënë Alfredin e artistët të flasin për artin, dua të theksoj dhe një simbolikë që nuk i shpëtojmë dot sot. Një simbolikë që në fakt shënon një moment ndarje përfundimtare mes të shkuarës dhe të ardhmes. Dje, shteti, për mllefe apo inate politike merrte shtatoret, si ajo e Heronjve të Vigut, dhe i spostonte tre herë deri sa i rehatoi, në thonjza, sa më larg syve. Ndërsa sot, arti nuk është në shërbim të politikës, por në shërbim të zhvillimit dhe ju siguroj që kështu do të vijojë të jetë. Ky ishte edhe qëllimi i garës ndërkombëtare “Arti në Hapësirat Publike”, që në vitin 2022 përzgjodhi 18 monumente të veçanta mes 132 propozimeve.

Qëllimi ynë është që duke u bazuar në këtë përvojë, të nxisim më tej artin, jo vetëm si një formë komunikimi apo një urë e natyrshme bashkimi, por edhe si një mjet që vendoset në shërbim të komuniteteve. Dhe që kyen një rol shumë më të madh se sa hijeshimi apo zbukurimi. Dua ta mbyll fjalën time duke falenderuar dhe një herë Alfredin, që sinqerisht, pas një punë shumë të gjatë dhe t lodhshme realizoi këtë vepër kolosale, e cila i jep qytetit një vlerë të shtuar. Çelësi do të jetë një simbol, që i ka të gjithë gjasat, të shndërrohet edhe në metaforën e rikthimit të Shkodrës në piedestalin që meriton të jetë. Një qytet që mes peisazheve të rralla natyrorë, me rrugët e sheshet e tij ikonike, nga Piaca, në Sarreq, Gjuhadol, Kala, mes kontureve të skalitura nga Kol Idromeno, me në sfond Katedralen, shëtitoren, bashkinë e gjithçka tjetër, është në gjendje të jetë një magnet i jashtëzakonshëm turistik dhe një kryeqendër e zhvillimit dhe mirëqënies për të gjithë Veriun.
Faleminderit