Ministry of Economy, Culture and Innovation

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, Ministrja e Kulturës takon nxënës të gjuhëve të huaja

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cilësoi sot përkthimin si artin e parë të qytetërimit. Në ditën ndërkombëtare të përkthimit, Ministrja Kumbaro, e cila dhe vet vjen nga ky profesion, zgjodhi të zhvillojë një bashkëbisedim me nxënës të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”.

Para nxënësve, Kumbaro tha se, “është shumë e rëndësishme të kuptojmë se përkthyesi është një ndër shtyllat e qytetërimit. Përkthim do të thotë komunikim dhe komunikim do të thotë shoqëri njerëzore, ndaj mund të themi se përkthimi është arti i parë i qytetërimit”, tha ajo.

Ministrja e Kulturës zgjodhi ta kalojë këtë ditë me nxënësit që kanë nisur bazën e përkthimit përmes studimit të gjuhëve të huaja, për tu sjellë në vëmendje, se kjo punë kërkon shumë përkushtim.

“Përkthyes nuk bëheni pas diplomimit, por pasi keni punuar shumë me mëndjen, dijen dhe emocionet tuaja. Në përkthimin letrar vetëm një përkushtim i madh mund t`ju bëj përkthyes”, tha ajo.

Në këtë ditë të shënuar të përkthimit, Ministrja vlerësoi se ka ardhur koha të ngremë statusin e përkthyesit në statusin e krijuesit. “Nuk mund t`ju jap shifra, por mund të themi se shumica e botimeve në treg janë përkthime dhe kemi shumë pak autorë origjinal. Ka ardhur koha të ngremë statusin e përkthyesit në statusin e krijuesit. Pasi përkthyesi është ai krijues që merr përsipër të rishkruaj një vepër origjinale në një gjuhë tjetër. Ai duhet të rishkruajë dhe të rikrijojë atë. Sot përkthyesi e meriton të quhet krijues i mirëfilltë”, tha Kumbaro.

Në vijim të takimit, Ministrja e Kulturës, u njoh dhe me përkthime të pëgatitura nga nxënësit e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”.{:}