Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=6479]

Sistemi i biletarisë elektronike është përuruar sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, me pjesëmarrjen e ministres së kulturës, Mirela Kumbaro, kryetarit të Bordit Drejtues të AADF, Michael Granoff dhe anëtarëve të tjerë të bordit drejtues, drejtorit të MHK, Melsi Labi, etj.

Efektshmëria e një biletarie elektronike, përpos qëllimit operacional, do të shoqërohet nga mekanizma të tjerë rregullatorë që do i lejojnë Muzeut një administrim më të pavarur.  Ky sistem synon të arrijë njohje të plotë të të ardhurave të gjeneruara nga këto site dhe muze, si dhe të zbatojë mekanizma qëndrueshmërie në vetadministrimin e tyre.

“Jemi në krye të një viti së bashku me AADF jo vetëm për një menaxhim më të mirë, jo thjesht të trashëgimisë, jo thjesht të një etape, por të një sistemi. Një nga momentet kyçe të trashëgimisë është sa jemi në gjendje ne ta bëjmë këtë të qëndrueshëm, ta bëjmë tërheqes dhe të prodhojë të ardhura”-u shpreh ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro.

Vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar, nga sot e tutje do të pajisen me bileta elektronike për të vizituar pavijonet e këtij institucioni dhe artefaktet e prezantuara në mjediset e këtij muzeu.

Kjo u bë e mundur falë një projekti të financuar dhe zbatuar nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Instalimi i biletarive elektronike në site të trashëgimisë dhe muzeumeve, synon të arrijë:

Formalizim të procedurës së shitjes dhe njohjes së të ardhurave nga biletat; Rritje të fondeve të disponueshme në nivel siti dhe muzeu për zhvillimin strategjik të tyre; Zbatim të sistemeve elektronike të raportimit financiar në kohë reale; Rritje të kapaciteteve administrative në nivel siti dhe muzeu për të shfrytëzuar sistemet elektronike të biletarisë dhe të raportimit për nevoja analitike zhvillimore.

Me anë të këtij programi, AADF do të instalojë 6 biletari elektronike në këto site kulturore dhe muze të rëndësisë së veçantë, si: Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë;  Muzeu Gjergj Kastrioti, dhe Muzeu Etnografik, Krujë; Kalaja e Beratit, dhe Muzeu Onufri, Berat; Parku Arkeologjik i Apollonisë, Fier; Kalaja Rozafa, Shkodër; Kalaja e Gjirokastrës, Gjirokastër.

Ministria e Kulturës do të propozojë pranë Këshillit të Ministrave që të ardhurat nga shitja e biletave dhe aktiviteteve të tjera në sitet dhe muzetë subjekt të këtij programi do t’i mbeten siteve dhe muzeve, të cilat do të administrohen nëpërmjet një plani financiar dhe strategjik të paramiratuar. Njëherësh MK do të ofrojë mbështetje institucionale për programin për çdo çështje që mund të ofrohet nga Ministria, ose departamentet që varen nga ajo, do të  koordinojë aktivitetet me institucionet e pavarura të jashtme si Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë  dhe Këshilli Shkencor i Muzeve për mbarëvajtjen e ndërhyrjeve infrastrukturore.

Ministria e Kulturës angazhohet të ndihmojë në krijimin e mekanizmave të pagesës elektronike me bankat e nivelit të dytë në zonat kulturore dhe turistike në Shqipëri, që janë subjekt i këtij programi.

Në ceremoninë e përurimit u nënshkrua edhe memorandum I bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe fondacionit AADF për  projektin, “Biletaritë Elektronike në Sitet e Trashëgimisë Kulturore & Muzeve në Shqipëri”.

Muzeu Historik Kombëtar është pjesë e grupit të parë të siteve kulturore të miratuara nga Bordi Drejtues i Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, dhe i pari muze me një biletari elektronike në Shqipëri.

Ministrja Kumbaro dhe Michael Granoff, në fund të ceremonisë së përurimit  vizituan ekspozitën “BESIM”, e cila u hap në vigjilje të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri.
{:}