Ministry of Economy, Culture and Innovation

Prezantohet programi “100 Fshatrat”, si pjesë e Rilindjes Rurale, që përfshin infrastrukturë, agroturizëm, trashëgimi kulturore dhe nxitje të punësimit përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen e fermerëve.

Ky program  synon zbatimin e investimeve të përbashkëta strategjike nga katër ministri, (Bujqësia, Infrastruktura, Kultura e Mjedisi) për zhvillimin e integruar të hapësirave rurale të vendit.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka prezantuar programin e kulturës për projektin e 100 fshatrave, një model i ri i zhvillimit rural i qeverisë shqiptare.

“Jetëzimi i Qendrave Historike, përdorimi i të gjithë argumenteve kulturorë dhe historik të bashkuara me një program shumë të ngjeshur kulturor të trashëgimisë kulturore jo materiale, rrjetin e artizanatit, kampuset verore të restaurimit që janë në fakt aktivitete më vete kulturore por edhe mundësi punësimi në disa prej këtyre fshatrave, janë disa nga pikat kryesore që ofron kultura në këtë program.

Sot që flasim kemi në proces ose sapo të përfundura në këto 100 fshatra 13 monumente të restauruara, 65 projekte të reja në trashëgiminë kulturore. Po krijojmë itinerarin e rrugëve të Besimit ( për 5 objekte kulti puna restauruese nis në pranverë, ndërsa janë duke përfunduar 3 kisha në këto 100 fshatra) dhe rrugët e Kujtesës me stacione historike”, theksoi në fjalën e saj Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Kumbaro vijoi më tej duke folur për mundësitë e zhvillimit që do të mundësojë jetëzimi i dy qendrave historike të Dhërmiut e Vunoit, ku po restaurohen 252 objekte në Dhërmi dhe 182 objekte në Vuno me një vlerë investimi prej 7.5 milionë euro në total.

Më tej Ministrja e Kulturës nënvizoi  se “Programi “100 fshatrat”  do të zhvillohet aty ku bashkëjetojnë bujqësia, arti, kultura, historia dhe arkitektura, si një bashkim jo dhe aq i rastësishëm, për të krijuar potenciale turistike, zhvillimore dhe ekonomike që justifikojnë investimin qoftë publik, por edhe duhet të tërheqin vëmendjen e investitorëve privat për zhvillim të integruar”..

Investimet publike, investimet e donatorëve dhe investimet private, të kombinuara në projektet për zhvillim të qëndrueshëm në sitet e trashëgimisë janë të domosdoshmë për të tilla modele, përfundoi Ministrja e Kulturës.

 

Programi “100 fshatrat”

Qeveria shqiptare parashikon realizimin e këtij projekti brenda 3 viteve (2018-2020).  100 fshatrat janë zgjedhur në të gjithë Shqipërinë, si pikat nevralgjike  për një qasje të integruar në zhvillimin rural, që u targetohen objektiva të matshëm për zhvillimin e hapësirës rurale, nëpërmjet fokusit të qendërzuar (programim i integruar dhe i koordinuar) i investimeve publike, atyre të donatorëve dhe i investimeve private, në hapësirën e mirëpërcaktuar të 100 fshatrave, me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-sociale, të agroturizmit e turizmit rural, natyrës dhe mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore.

Programi i Integruar për Zhvillimin Rural do të programojë ndërhyrjet me investime të integruara në zonat e përcaktuara (100 fshatra), nëpërmjet 3 objektivave, si më poshtë vijon:

-Përmirësimi i infrastrukturës publike (mbështetja për infrastrukturë rrugore, rivitalizime hapësirash publike/urbane, infrastrukturë komunitare, shërbime publike, infrastrukture mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kulturore, qendra multifunksionale komunitare, peizazhi mjedisor etj.)

-Zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike (përmirësimi i potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, investimet në përmirësimin e shërbimeve tregtare, investime në prodhimin e produkteve tradicionale dhe shërbime të tjera ekonomiko-financiare etj. Mbështetja për inkubatorë të produkteve rurale tradicionale, promovim dhe marketim të zonave rurale, shërbime transporti, panaire dhe festat lokale etj.)

-Zhvillim i kapitalit social dhe njerëzor (mbështetje për krijimin e rrjeteve rurale, grupeve lokale të veprimit si dhe shoqërinë civile në zonat rurale, trajnim profesional për të rinjtë dhe gratë, mbështetje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për promovimin e traditave dhe të jetesës në fshat etj.

Në total, nga ky projekt parashikohet të krijohen 600 vende pune. Vetëm në vitin 2018, parashikohet të krijohen 100 vende pune.{:}