Ministry of Economy, Culture and Innovation

E drejta për strehim është një e drejtë e mbrojtur nga Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar.

E drejta për strehim është një e drejtë e lidhur pazgjidhshmërisht me dinjitetin e familjes dhe qënies njerëzore.

Por, mbi të gjitha, kjo është një e drejtë e lidhur ngushtësisht me vizionin e një Shqipërie Europiane, një vendi të përparuar që ecën përpara me të njëjtën shpejtësi për të gjithë qytetarët e saj, e jo një vend me qytetar të Serisë A apo të tjerë të Serisë B.

Në gjithçka kjo qeveri ka bërë, në çdo reformë të çuar përpara nga MEKI e nga të gjithë institucionet e tjera, ideja e Shqipërisë 2030 është një forcë e jashtëzakonshme shtytëse.

Kjo Shqipëri, në përfytyrimin tonë, duhet të jetë një vend ku diferencën e bën vetëm talenti dhe puna, e jo statusi, privilegji, miku, partia, pasuria familjare, etj.

Mundësia për të shpërndarë 25 banesa të reja për 25 familje të përzgjedhura në mënyrë transparente, pas aplikimit të ndodhur online përmes e-Albanias dhe pas shortit të hapur është një ditë e gëzuar jo vetëm për këto familje.
Por, është një ditë e lumtur edhe për Programin Kombëtar të Strehimit, një program i zbatuar në bashkëpunim të ngushtë me njësitë e pushtetit vendor dhe që vit pas viti ka ardhur duke u zgjeruar.

Përfitues të apartamenteve moderne sot janë familje me anëtarë persona me aftësi ndryshe, nëna kryefamiljare, familje me më shumë se 4 fëmijë, çifte të reja që sapo kanë nisur të ngrenë një familje, familje në nevojë apo të tjera nga komuniteti rom dhe egjiptian.

Për fat të mirë, kjo është një panoramë që qytet pas qyteti, nga Burreli në Sarandë, nga Saranda në Koplik, nga Kopliku në Bilisht, përsëritet, duke ofruar për herë të parë afate realiste për familjet e pastreha për t’u strehuar.

Ne kemi në fuqi një strategji, Strategjinë e Strehimit Social 2016-25, që thekson, citoj nga teksti: “Qëllimi i kësaj strategjie është të ofrojë zgjidhje të gatshme, të arritshme dhe të përballueshme për familjet e pafavorizuara dhe ato me të ardhura të pamjaftueshme për blerjen e një banese”.

Por, mbi bazën e kësaj strategjie, ne jemi në gjendje që t’i vijmë në ndihmë jo vetëm familjeve që i dorëzojmë çelësat në dorë, por edhe shumë të tjerave, me mekanizma alternativë që kemi përsosur me shumë mund.

Mes tyre, theksoj:

  • Kreditë e buta. Ky është një prej programeve më të suksesshëm, me aktualisht mbi 6 mijë kredi, interesat e të cilave përballohen nga buxheti i shtetit.
  • Programi i qerave sociale, që i vjen në ndihmë qindra familjeve të tjera.
  • Programet e posaçme për të asistuar punonjësit e administratës, midis të cilëve mjekët, ushtarakët, punonjësit e policisë, etj.

Gjithashtu, MEKI është angazhuar për të mbështetur përshtatjen e sa më shumë objekteve ekzistuese në pronësi të qeverisjes vendore për qëllime strehimi.

Si dhe për ndërtimin në truall publik apo për blerjen e banesave, kur paraqiten mundësi për ta bërë këtë nën çmimin e ndërtimit.

Të gjithë këto programe kanë krijuar një sinergji që ne jemi të vendosur që ta vazhdojmë.

Në vitin aktual, buxheti prej 320 milionë lekësh i dedikuar për zërin e strehimit na lejoi që së bashku me fonde shtesë të gjeneruara nga partnerë apo njësitë e pushtetit vendor të bëjmë një ndryshim të rëndësishëm për shumë familje në nevojë strehimi.

Siç e dini, jemi aktualisht në fazën e përgatitjes së buxhetit të vitit 2025 dhe parashikimi ynë është që për vitin e ardhshëm të kemi në dispozicion një buxhet edhe më të lartë, që do të na lejojë të bëjmë edhe më shumë, e mbi të gjitha t’i bëjmë edhe më shpejt.

E gjithashtu, jemi plotësisht të angazhuar për të hartuar një strategji të re, që do të hyjë në fuqi pas përfundimit të Strategjisë Aktuale Kombëtare 2016-25.

Qëllimi ynë është që kjo strategji, të jetë në gjendje të lidhë të gjithë aktorët institucionalë, me burime të qarta financimi, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit të strehimit në Shqipërinë e 2030-s.

Sipas statistikave të INSTAT, Shqipëria është vendi me nivelin e strehimit më të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe në Europë.

96% e familjeve shqiptare kanë një strehim. Në Bashkimin Europian, rekordi është i Rumanisë me 95%, por ajo që dua të theksoj është diçka tjetër.

Koha kur politikat, sidomos në një vit elektoral, ideoheshin posaçërisht për të vjelë vota ka përfunduar një herë e përgjithmonë me qeverinë tonë.

Ka pasur një kohë kur 4% dikujt mund t’i dukej pak, por targeti ynë është zeroja absolute.

Sepse ai 4%, bën diferencën midis një vendi primitiv, që pranon si pashmangshmëri historike vuajtjen e ca të pafatëve apo ca fëmijëve aty në rrugë, e një vendi europian, modern dhe të civilizuar, ku çdo njeriu i garantohet e drejta për një jetë të mirëqënë.

4% nuk mjaftojnë për të fituar zgjedhje. Por, për fat të mirë, mjaftojnë për të parë me krenari veten në pasqyrë, si një qeveri e të gjithëve, që punon për të gjithë, e që shpërndan të mirat e zhvillimit me këdo.

“E drejta e të varfërit është më e rëndësishme se dhurata e të pasurit” – Lahuta e Malësisë, Gjergj Fishta.