Ministry of Economy, Culture and Innovation

Dita e sotme është një ditë në të cilën nis të bëhet realitet një prej projekteve më të mëdhenj dhe më transformues në historinë e kryeqytetit. Duke e zoom-uar shohim një sihariq për njësitë Administrative 6 (Kombinat), 14, Kashar e Vaqarr, si përfituese kryesore, të cilat ndodhen përreth TEDA Tirana!

Projekti i TEDA Tirana është fryt i bashkëpunimit të ngushtë midis MEKI-t dhe Bashkisë së Tiranës, falë të cilit një kthinë gjigante, deri dje një hapësirë djerrë në “paradhomën” e metropolit, transformohet në një zonë që nxit zhvillimin teknologjik si dhe punësimin e mirëqënien në shkallë të gjerë.

TEDA Tirana nuk është i pari projekt ambicioz për një zonë të lirë ekonomike transformuese, si ide, si tentative, si retorikë.

(Për të dhënë një shembull), Në vetëm një vit, deri në zgjedhjet e 2009-s, qeveria e mëparshme “inaguroi” jo një, as dy, por nëntë zona të lira ekonomike apo parqe industriale.

I pari ishte Parku Industrial Koplik. Një hapësirë në letër sa dyfishi i TEDA Tirana, ku nuk u ndërtua kurrë asgjë.
Më pas, sipas kësaj radhe, Zona Ekonomike Shëngjin, Parku Industrial Elbasan, Parku Industrial Rrashbull, Zona e Lirë Ekonomike Vlorë, Parku Industrial Shkodër, Parku Industrial Laknas në Tiranë, Parku i Lezhës, etj, në letër, ndërsa në realitet rezultati: Zero të punësuar, Zero të ardhura, Zero zhvillim, Zero infrastrukturë, Zero investime në ato 9 zona!

Falimentimi i atij modeli të bazuar mbi qoka elektorale dhe shfrytëzimit pa kriter të territorit dhe resurseve ishte pjellë e një amatorizmi patetik dhe optimizmi delirant, në Shqipërinë pa këllqe, ku injoranca gëlonte anembanë qeverisjes militante.

Të modernizosh vendin, të investohesh në projekte strategjike, të ndërkombëtarizosh pozitivisht Shqipërinë e të ristrukturosh modelin ekonomik ndërsa lufton informalitetin e trashëguar dhe fiton sfidën e tërmeteve dhe pandemisë, kërkon seriozitet.

TEDA Tirana sot është pjesë e një vizioni dhe një realiteti të ri ekonomik, që bazohet gjerësisht tek nevoja për prodhim efiçient, forcë pune të kualifikuar dhe ekosistem konkurrues.

Shqipëria nuk është më vendi që pret skllavopronarë që duan thjesht dhe vetëm të shfrytëzojnë punonjësit për 2 lekë pagë.

Punojmë për jetëzimin e politikave ekonomike që mundësojnë krijimin e vlerës së shtuar, uljen e importeve, më shumë vende pune të mirëpaguara dhe shanse të përfitimit për të gjithë.

Ndryshe nga sa ndodhte deri dje, ne kemi marrë një hapësirë prej 35 hektarësh, të cilën po e zhvillojmë dhe po e pajisim me çdo facilitet për të krijuar një pol të jashtëzakonshëm zhvillimi.

Falë këtij investimi, që deri në fund të tij pritet të arrijë vlerën e 100 milionë eurove, do të krijojmë kushtet për të zhvilluar industri si ajo automotive, farmaceutike, ICT, Hi-Tech, pajisje të precisionit të lartë, industri robotike, prodhim teknologjik, etj.
Përllogaritet që në momentin e përfundimit, TEDA Tirana të gjenerojë mbi 7 mijë vende cilësore pune, me paga të larta.

TEDA Tirana nuk është e vetmja. Ajo do të jetë komplementare me një tjetër park teknologjik dhe inovator që është gjithashtu në rrugën e konkretizimit, “Durana Tech Park” në Xhafzotaj.

Durana do jetë një pol i dytë zhvillimi, ku përmes lehtësirave e incentivave që do të ofrojë, mbi 50 kompani të rëndësishme vendase dhe të huaja kanë shprehur interesim për të qenë pjesë. Përsëri me një zhvillues publik, në rastin e Durana kemi licensuar AIC-në, Korporatën Shqiptare të Investimeve.

Në parashikimet tona, “Durana” pritet të krijojë nga ana e saj mbi 5 mijë vende të tjera pune të mirëpaguara, ku vlera e përfitimit ekonomik për 20 vitet e para përllogaritet në mbi 3 miliardë euro. TEDA Tirana dhe Durana janë simbolet më përfaqësuese të modelit tonë të ri ekonomik, por jo të vetmet.

Synojmë një vend me infrastrukturë moderne, me një nivel papunësie njëshifrore, me prodhim të konsoliduar, me treg pune të fuqizuar nga kurrikula novatore e aftësimi profesional,
si dhe një vend ku askush nuk mbetet pas, me të ardhura të larta për të gjithë, afër mesatares europiane, me kontribute të konsoliduara për sigurimet shoqërore dhe pensione të denja.