Ministry of Economy, Culture and Innovation

Prezantohet  projekt restaurimi i Kishës së Shën Thanasit- Karavasta, Lushnjë. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila u shpreh mes të tjerash se:
“Të shtunën e kaluar të Pashkëve Katolike ne prezantuam projektin e restaurimit të Varrezave Katolike dhe të Kapelës së Rrmajit, përfshi dhe varret krejtësisht të lëna pas dore të Kol Idromenos dhe varrit monumental të familjes Marubi, puna për realizimin e të cilit fillon së shpejti.
Sot kemi kënaqësinë të prezantojmë projektin e restaurimit të një kishe shumë të veçantë që pak njihet, por që ka vlera të jashtëzakonshme, është fjala për kishën e shekullit të 18-të, kisha e Shën Thanasit në Karavasta, që ia vlen të njihet, të vizitohet, të promovohet.
Dua të falenderoj deputetin e zonës, z. Erion Braçe, që është promotori i këtij projekti i cili bashkë me fshatarët e Karavastasë nuk m’u nda jo që ta bënim, se këtë e kemi detyrë, por që të më bindte se sa e bukur është kjo kishë. Dhe, si për çdo gjë shumë të bukur, që ia vlen ta ndash, ne duam ta ndajmë këtë sot me ju”
I pranishëm në konferencën për shtyp Z. Erion Braçe, i cili në cilesinë e Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë u shpreh se ” Dua të them se kam dhe do të kem të gjithë vëmendjen e duhur që buxheti i kulturës, përfshirë edhe këtë aspekt për të cilin po flasim, restaurimin e Monumenteve të Kulturës por edhe të tjera, do të jetë prioritar në vëmendjen e këtij Komisioni”. Ai deklaroi edhe fondet që do vihen në dispozicion të Ministrisë së Kulturës nga të ardhurat e Lojërave të Fatit.
Drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani prezantoi projektin e detajuar të ndërhyrjeve restauruese, jo vetëm në objektin e kultit, por edhe në pikturat dhe afresket murale.
Kisha e Shën Thanasit, Karavasta, është një nga shtatë objektet e trashëgimisë kulturore që Ministria e Kulturës është angazhuar për t’i restauruar.

11 prill, Ministria e Kulturës{:}