Ministry of Economy, Culture and Innovation

Galeria Kombëtare e Arteve dhe Galeria e Artit të qytetit të Sarandës ju fton më datë 10 Qershor, ora  19.30, në çeljen e ekspozitës “Artistë shqiptarë të shekullit 20”.  Ekspozita e kuruar nga Ylli Drishti e realizar nga bashkëpunimi i GKA dhe Galerisë Art-Saranda,  është pjesë e kalendarit të aktiviteteve të sezonit veror. Ajo ka karakterin e një historie modeste arti të pikturës shqiptare, ku është përzgjedhur dhe paraqitet krijimtaria e një grupi prej 35 piktorësh dhe një koleksion rreth 50 punimesh të gjinive të ndryshme nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë.

Kontributi i artistëve të traditës si Kol Idromeno, Simon Rrota, Vangjel  Zengo, Vangjush Mio, Andrea Kushi, Odise Paskali, Zef Kolombi, Spiro Xega, Ndoc Martini, Sadik Kaceli, në  artin shqiptar konsolidoi drejtimin realist në artet pamore shqiptare në gjysmën e parë të shekullit 20. Të edukuar në Akademitë e vendeve perëndimore, ky grup artistësh u shkëput gradualisht nga temat fetare dhe realizuan kompozime, portrete e peizazhet e para realiste laike. Subjektet e tyre ishin kryesisht portrete të familjarëve, peizazhe të qyteteve e zonave rurale ku jetonin. Në kompozimet e tyre të para mbizotëronin temat historike, temat sociale dhe imazhe jeta e njerëzve të thjeshtë.

Mes 35 autorëve  të njohur ekspozita sjell vepra nga artistë si A.Buza, F.Stamo, S. Papadhimitri, Z. Shoshi, V. Kilica, G. Madhi, S. Shijaku, V. Talo, A.Cangonji, H. Capari, H.Nallbani, F.Ashiku, Safo Marko, B.Ahmeti, Sh.Arapi,  etj.

 

Akademitë e ndryshme të Artit në Europë: në Venecia, Milano, Firence, Romë, Paris, Athinë, Bukuresht, Pjetërburg, Zagreb, dhe Tiranë, ku janë shkolluar autorët e këtyre veprave, talenti dhe pasioni i tyre për pikturën ,përcaktuan personalitetin me veçantitë e tyre stilistike. Romantizmi me larmi koloristike, i bën të veçanta veprat e frymëzuara nga motivet e jetës, sidomos portretet, brenditë e ndryshme dhe peizazhi karakterestik i trevave. Ekspozita me titull:”Artistë shqiptarë të shekullit 20’ është pasqyra më interesante e  zhvillimeve që ndodhën në artin pamor shqiptar, por edhe në shoqërinë shqiptare në këtë periudhë, prandaj do të tërheqë vëmendjen e  publikut shqiptar dhe të huaj gjatë sezonit turistik në Sarandë.

10 qershor – 10 shtator 2016, Galeria e Artit, Sarandë{:}