Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=1052]

 

U hap zyrtarisht Pavijoni Shqiptar në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit, edicioni i 57-të në Venecia 2017 , ku Ministria e Kulturës prezanton Shqipërinë me projektin e titulluar ‘‘Ndodhi në kohën e tashme’’, propozuar nga Leonard Qylafi (Artist) dhe Vanessa Joan Müller (Kuratore).

Në ceremoninë e hapjes, zhvilluar në ambientet e Pavijonit Shqiptar në Arsenale merrnin pjesë kuratorë, kritikë arti dhe gazetarë.

“Jemi së bashku në këtë ‘Ndodhi në kohën e tashme” e cila gjen rastin të na kujtojë që Shqipëria  nuk është thjesht një emër në titujt e kronikës së zezë por, një stacion artistik ku ndalen kritikët, artdashësit, mediat e kulturës. Pavijoni ynë është pavijoni i një vendi me histori të vështirë, të ndërlikuar që secili prej nesh e mbart mbi shpinë edhe kur i rëndon, por shumë prej nesh e kthejnë në vlerë të shtuar sepse e dine që vetëm mbi të, dhe jo pa të, mund të ndërtojnë të ardhmen”- u shpreh Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro.

Pavijoni Shqiptar u vizitua nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili u shprehu vlerësimet e tij më të mira kuratores dhe artistit Leonard Qylafi.

“Ndodhi në kohën e tashme” prezantohet nga një artist që ka aftësinë të risjellë historinë e së shkuarës me një këndvështrim, kërkim dhe praktikë kontemporane.

Sipas kuratores së këtij edicioni, Christine Macel “Viva Arte Viva është një thirrje, një shprehje pasioni për artin dhe për figurën e artistit. Është një bienale me artistë, nga artistë dhe për artistë, përmes formave që ata propozojnë, pyetjeve që shtrojnë, praktikave që zhvillojnë, mënyrat e jetesës që zgjedhin”.

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro ishte pjesëmarrëse në hapjen zyrtare të Pavijonit të Kosovës, i cili përfaqësohet nga artisti Sislej Xhafa, “Lost and found” (E humbur dhe e gjetur), i cili shprehet se Kosova e tij “E humbur dhe e gjetur”, ka shumë çështje vazhdojnë të jenë aktuale, duke përfshirë shkeljen e të drejtave të njeriut, kufizimet e sfidat që ka shoqëria e një shteti të ri të pavarur .

Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro u takua me Presidentin e Bienales së Venecias, z. Paolo Baratta. Pas katër prezantimesh të suksesshme të Shqipërisë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit dhe Arkitekturës, 2014, 2015, 2016, 2017, Ministria e Kulturës, në angazhimin e drejtpërdrejtë të Ministres Mirela Kumbaro Furxhi arriti të përfaqësojë Shqipërinë në një prezantim dinjitoz dhe me projekte të nivelit ndërkombëtar, me pasqyrime dhe intervista në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare. Presidenti Baratta, pjesëmarres në hapjen zyrtare të pavijonit Shqiptar në Bienalen e Arkitekturës 2014, tashmë është një nga miqtë e Shqipërisë, së Artit dhe Kulturës. Në takimin me Ministren Kumbaro ai vlerësoi projektin e Shqipërisë duke pohuar se Shqipëria tashmë ka vendin e saj në këtë dialog të lire arti mes artistësh dhe publikut. “E kam vizituar tri herë Pavijonin e Shqipërise dhe preferoj ta shoh sërisht”- u shpreh Baratta duke përforcuar idenë se takimi dhe dialogu janë kryefjala e kësaj Bienaleje Arti. Ministrja Kumbaro u shpreh se “Jam e bindur në rolin emancipues të artit e të kulturës në shoqëri siç nuk vë në dyshim shërbimin e jashtëzakonshëm që i bën kultura vendit në forcimin e pozicionit të vet në skenën ndërkombëtare”.

Ministri i Kulturës së Serbisë, Vladan Vukosavljević vizitoi Pavijonin Shqiptar në Bienalen e Venecias. Ai u prit nga Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, kuratorja : Vanessa Joan Müller dhe artisti, Leonard Qylafi. Ministri Vukosavljević shprehu vlerësimin e tij për konceptin e prezantimit të Pavijonit Shqiptar, ku projekti “Ndodhi në kohën e tashme” risjell historinë e së shkuarës me një këndvështrim, kërkim dhe praktikë kontemporane.

Në ditën e hapjes së Bienales së Artit, Venecia 2017, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u takua me Ministren e Kulturës së Francës Audray Azoulay dhe Presidentin CentrePompidou, Serge Lavignes, ku diskutuan se në kuadrin e bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Francë janë zhvilluar shumë aktivitete dhe janë në zhvillim të tjerë, për të konkretizuar bashkëpunimin kuturor 2016-2017 “Les temps fort” midis Francës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu  Ministrja Kumbaro takoi homologun austriak, Ministrin Federal për Çështjet e Artit, Kulturës, Kushtetutës dhe Medias i Austrisë, Z. Thomas Drozda dhe  zhvilloi një takim të ngrohtë dhe miqësor, ku në qendër të takimit ishte intensifikimi i bashkëpunimit  për projektet kulturore mes dy vendeve dhe Viti Kulturor 2018 Shqipëri – Austri.

 

Komisioner i Pavijonit: Mirela Kumbaro, Ministër i Kulturës

Vendi : Venue Arsenale, Sale d’Armi, kati parë, ndërtesa A

Hapja zyrtare e Pavijonit: 11 maj 2017, ora 2 pm

Data : 13 Maj – 26 Nëntor 2017

Pavijoni qëndron i hapur nga ora: 10 am – 6 pm

E premte / E shtunë 10 am – 8 pm deri më 30 shtator, 2017{:}