Ministry of Economy, Culture and Innovation

Fanfara Tirana, Robert Bisha vazhdon tur-in e koncerteve të verës në festivale të rëndësishme evropiane. Këtë radhë band-i shqiptar do të jetë pjesëmarrës në Festivalin “Calitri Sponz Fest”, ideuar nga Vinicio Capossela.  Filli lidhës në  shtatë ditët e festivalit do të jetë  “Martesa e kulturave”, e cila gjen në shkëmbimet mes vendeve të ndryshme të mesdheut një pasuri të jashtëzakonshme të kulturave.  Fanfara Tirana do të hapë festivalin në orët e para të agimit të datës 25 duke përcjellë tingujt e fanfare-s në një agim rozë dhe duke sjellë dëshmitë e Shqipërisë me muzikën nga “Jehona e luginave, shkëmbinjve, kulturat e lashta të ndërthurura, legjendat, martesat, muzikë baritore dhe e ringjalljes së botës. Një trashëgimi muzikore shqiptare që do të dëgjohet në fuqinë e instrumentistëve të shkëlqyer të muzikës së Fanfara Tirana-s, ( me 14 instrumente) që kohët e fundit ka kombinuar me suksese të jashtëzakonshme  elemente të Transglobal me fuqinë e instrumenteve të tunxh-it, forcën e Trans me atë bashkëkohore. Kjo festë do të hapë “Calitri Sponz Fest”, ku, në agim do të ndiejmë afër Shqipërinë, këtë tokë të bekuar nga dielli”- shprehet Vinicio Capossela për band-in shqiptar. Festivali është krijuar si një meditim larg të përditshmes dhe pranë natyrës, shtatë ditë nomadësh të njerëzve që besojnë në rrëfimin e kulturave të përbashkëta, si një mjet shumë i rëndësishëm për të afruar komunikimet mes vendeve nëpërmjet Artit dhe Kulturës.  Në ditën shqiptare të festivalit do të marrë pjesë edhe mjeshtri i kuzhinës shqiptare Bledar Koka dhe do të prezantohen kostume tradicionale shqiptare të trevave të ndryshme. Pjesëmarrësit në këtë festival do të jetojnë ‘në strehën e kohës’. Atë që organizatorët e quajnë koha e mitit, koha e historisë, koha që ndalet në muzikë, kërcim, tradita dhe folklor të shumë kulturave bashkuar në një vend.

Prej 13 vitesh Fanfara Tirana prezanton  muzikën shqiptare përtej kufijve, me suksese të dëshmuara në skenën ndërkombëtare  në promovimin e kulturës dhe imazhit të Shqipërisë, siç e tregon qartë jehona mediatike pas çdo koncerti, (mbi 100 recensione me 4 e 5 yje në “The Times”, “The Guardian”, “Rolling Stone”, “Il Manifesto”, etj).

24-30 gusht,  Altirpinia, “Calitri Sponz Fest”

LINK http://www.sponzfest.it/2015/{:}