Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=4107]

Në ambientet e Ministrisë së Kulturës, në datën 7 janar 2016,  u nënshkrua  marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës për rijetëzimin e Qendrës “Shtëpia Kadare”.
“Shtëpia Kadare” është jo thjesht një projekt rijetëzimi, jo thjesht një qendër muzeale dhe kulturore, por synon krijimin e një modeli të ri të suksesshëm, që në vazhdimësi mund të ndiqet nga bashki të tjera të Shqipërisë.  Në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës do të ndajmë politika të përbashkëta, qasje të njëjta, duke krijuar  qeliza të reja  administrimi dhe menaxhimi në kulturë dhe trashëgimi dhe duke zhvendosur polet e kulturës nga qendra në periferi”- u shpreh Ministrja e Kulturës, znj. Kumbaro në këtë takim të parë.
Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, znj. Zamira Rami theksoi rëndësinë që merr Gjirokastra nga rijetëzimi I objektit “Shtëpia Kadare”, që kthen një vëmendje të veçantë ndaj qytetit të gurtë dhe garantoi bashkëpunim të plotë të institucionit që ajo drejton në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja, e nënshkruar sot, ka për qëllim  vënien  në  funksion për qëllime muzeale, artistike e kulturore dhe rezidenciale të  banesës “Shtëpia Kadare”, duke ndërmarrë veprime konkrete për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës , për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, të rinj të talentuar në fushën e letrave, turistë me interesa kulturore dhe jo vetëm dhe për promovimin e traditave dhe trashëgimisë kulturore të qytetit.Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës bashkërisht do të paraqesin dhe aprovojnë në çdo fillim viti një kalendar të përbashkët artistik/ kulturor/rezidencial për vitin në vijim .

“Në përvjetorin e 80-të të shkrimtarit kjo banesë do të nisë të gjallojë duke promovuar artin, kulturën, botimet, artistë të rinj dhe të talentuar  dhe  besoj fort se do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetit, duke zhvendosur aktivitete të metropolit, duke shtuar numrin e vizitorëve dhe si rrjedhojë duke prodhuar një ekonomi në rritje në zhvillim të turizmit”- shtoi në fjalën e saj, Ministrja Kumbaro.
Në takim u diskutua dhe u miratua kalendari i aktiviteteve për vitin 2016, i cili në këtë vit shpallet “Viti i Kadaresë”.  Ditëlindja e 80-të e shkrimtarit të mirënjohur, Ismail Kadare do të nisë në moton “Gjirokastra lexon me Kadarenë”, konceptuar si një qytet që na bashkon të gjithëve, fëmijë, të rinj, te moshuar, qytetarë të përhershëm dhe qytetarë vizitorë të vlerave të trashëgimisë dhe kulturës.
“Gjirokastra lexon me Kadarenë” do të jetë sipari i aktiviteteve në kuadër të ditëlindjes së shkrimtarit, konceptuar si një  lexim i personazheve të gjallë të romaneve në hapësirat publike.
Leximi- Një ngjarje e lirë që inkurajon festimin dhe angazhimin e komunitetit.
Ideuar si  një ngjarje  që afron rrëfimin e shkrimtarit  për një audiencë të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut për të kuptuar rëndësinë e saj dhe duke ndjerë ndikimin në hapësirën publike do të pasohet me aktivitetet e tjera  artistike dhe kulturore në Tiranë dhe Gjirokastër në datat 28, 29 dhe 30 janar, një fundjavë kulturore për “Komandantin e Legjionit të Nderit” që ndërkombëtarizoi qytetin e pjerrët , ndërtuar jashtë çdo ligji të ubanistikës .
“Shtëpia Kadare” është   në administrim të Ministrisë së Kulturës dhe është dhuruar nga shkrimtari i mirënjohur me destinacion  në një qendër kulturore, muzeale dhe rezidenciale.
Banesa e shkrimtarit Kadare, me vendndodhje brenda qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës, deklaruar me vendim  nr. 4, datë 07.05.1991, monument i kategorisë së  I dhe si e tillë së fundmi, është restauruar me mbështetjen teknike dhe financiare të UNESCO-s dhe MK.
Zbatues i projektit është arkitekti, Agron Doraci.
“Shtëpia Kadare” është një projekt i përbashkët  i Tiranës dhe Gjirokastrës, jo thjesht i dy institucioneve, por një nismë e drejtpërdrejtë  e  Ministres së  Kulturës, znj. Kumbaro dhe Kryetares së Bashkisë, Gjirokastër, znj. Rami.{:}