Ministry of Economy, Culture and Innovation

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor dhe artistik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë përuron ekspozitën retrospektivë të artistit Simon Shiroka, e cila do të hapet ditën e premte, më 19 shtator 2014, ora 19.00.

Ekspozita “Simon Shiroka – Retrospektivë” kurohet nga Z. Erzen Shkololli, drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Veprat e ekspozuara janë pjesë e koleksionit privat të Familjes Shiroka.

Artisti Simon Shiroka (1927-1994), i lindur në Prizren është mjeshtër i madh i artit të realizuar në teknikën e filigramit.

Akademiku Eqrem Basha shkruan se nga tradita popullore, Shiroka nuk mori vetëm mjeshtërinë e përpunimit të argjendit dhe materialeve të tjera fisnike, por edhe figuracionin, ornamentikën popullore, etnografinë, por edhe psikologjinë dhe besimin e njeriut tonë. Nuk është vetëm totemia, folklori, mistika dhe ornamentika e shpirtit të kësaj treve dhe këtij populli ajo që e dallon krijimtarinë e tij artistike, por edhe një shpirt i veçantë i artistit, që me dashuri dhe fanatizëm të pazakonshëm digjej dhe jetonte për të.

Ditën e premte më 19 shtator 2014, në ora 10.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp mbi  ekspozitën.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 19 shtator- 5 tetor 2014.{:}