Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=6229]

“Ai shkoi . . .  me hijen e shpisë në zemër”

Në datën 2 dhjetor në mjediset e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u zhvillua ceremonia e shpalljes së fituesve të konkursit kombëtar “Unë Milosao”. De Rada, personalitet i letrave shqipe që pajtoi gjithë mendjet e vrullshme shqiptare në një mendim të përbashkët dhe unik rilindësi i parë dhe madhor i kësaj lëvizjeje të ndritur intelektuale dhe patriotike, njëherësh edhe talenti dhe flijuesi i poezisë shqipe. Talenti i tij i jashtëzakonshëm poetik, flijimi që u bëri gjithë dhuntive për çështjen kombëtare, stërmundimi prej poeti, për të ringritur një gjuhë të vogël në ngjizje e sipër dhe për ta bërë të denjë për idetë më të epërme poetike europiane, të sjellin ndër mend vetëm përkushtim shenjtësh.

Konkursi “Unë, Milosao” u zhvillua në zbatim të kalendarit të punës dhe veprimtarive të Vitit De Radian për kremtimin e 200 vjetorit të lindjes së poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare Jeronim De Rada. Ministria e Kulturës përveç rolit nismëtar në kremtimin e këtij përvjetori jubilar, me aktivitete të shumta, pati përgjegjësinë dhe objektivitetin për vlerësimin e krijimtarisë së autorëve të rinj, nëpërmjet këtij konkursi. Për mbarëvajtjen e konkursit janë mbajtur kontakte me Ministrinë e Arsimit dhe me Drejtoritë Arsimore e drejtuesit e shkollave të mesme.  Prurjet për këtë konkurs ishin të shumta. Aplikuan 232 (dyqind e tridhjetë e dy) nxënës nga shkolla e qytete të ndryshme të Shqipërisë si: Tirana (Paskuqan, Kashar, Kamëz, Domje, Paskuqan), Gjirokastra, Himara, Vlora (Ramicë), Korça, Elbasani (Belsh), Berati, Rrëshen, Lezhë.

“Jam e lumtur të përshëndes në emër të Ministrise së Kulturës në këtë ditë të veçantë, ku do të shpallim fituesit e konkursi kombëtar të gjimnazeve të Shqipërisë “Unë Milosao”. Nuk mund të mbyllej më bukur “Viti De Rad”’, ky vit i veçantë i dinamikës kulturore që përkoi me 200 vjetorin e lindjes së poetit të madh. Nuk mund të gjendet poet apo personalitet i letrave shqipe që të pajtojë gjithë mendjet e vrullshme shqiptare në një mendim të përbashkët dhe unik. Shpesh De Rada është identifikuar në zemrat dhe mendjet e mijëra e mijëra lexuesve me imazhin dhe karakterin e Milosaos, personazhit më të famshëm dhe më mbresëlënës të letërsisë shqipe. Kjo është dhe arsyeja përse ne menduam të organizojmë një konkurs kombëtar mes gjimnazeve të Shqipërisë me temën “Unë Milosao”- u shprej ministrja Kumbaro në fjalën e saj.

Drejtoria e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit, të cilët ideuan dhe ndoqën të gjithë procesin mbajtën parasysh vetëm kriterin artistik në përzgjedhjen e 10 (dhjetë) fituesve, sa më poshtë:

 

1. Risilda Osmani      Shkolla “Sinan Tafaj”, Tiranë

2. Neim Mustafaraj     Shkolla  “Ramiz Arianitasi“ Çorovodë

3. Rea Godo             Shkolla “ Arsakeo” Tiranë

4. Pamela Muço         Shkolla  “Themistokli Gërmenji”, Korçë

5. Blerina Kanxha      Gjimnazi “Dhaskal Todri” Elbasan

6. Olisa Tome           Gjimnazi  “Ismail Qemali” Tiranë

7. Livia Hoxha           Gjimnazi “Faik Konica” Tiranë

8. Idva Tusha            Shkolla “Sadik Stavaleci” Kashar

9. Juela Mërdhoqi      Lezhë

10.Tea Mastori         Gjimnazi “Sami Frashëri” Tiranë

Ceremonina e shpalljes së fituesve të konkursit “Unë Milosao” filloi me shfaqjen e një filmi  ku u rrëfye grafikisht historia e jetës dhe veprimtarisë së Jeronim De Radës, realizuar nga Drejtori i Trashëgimisë Jomateriale në Ministrinë e Kulturës Z. Shpend Bengu, më pas u recitua nga aktorja e Teatrit Eksperimental Znj. Adriana Tolka pjesë të zgjedhura nga poema “Këngët e Milosaos” .

Ministrja e  kulturës Znj. Mirela Kumbaro u shpreh në përfundim të fjalës së saj se “Jam entuziaste nga pjesëmarrja e shkëlqyer e gjimnazeve kudo në Shqipëri. Plot 235 ese, tregime, poezi dhe meditime . Ajo që të gëzon ndërkaq është se të gjithë konkurruesit  që unë do t’i quaja kontribuesit më të veçantë dhe të mrekullueshëm identifikoheshin kaq natyrshëm me karakterin e Milosaos, i cili në shumë tekste e gjeje duke pirë kafe, apo duke folur në celular, me makinë, apo duke shkruar në Ipad. Dhe kjo e ka një arsye, pasi Milosao është një model i përsosur për çdo brez të rinjsh që flet e shkruan shqip ngado në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni  dhe Kalabrinë e tij, që nuk i trembet realitetit, por as ëndrrës.  Prandaj sot edhe unë bashkë me ju ndihem Milosao! Faleminderit shumë të gjithëve dhe suksese dhe fat në ëndrrat tuaja!”.

Pas fjalës së saj përshëndetëse, ministrja Kumbaro shpërndau  diploma për dhjetë fituesit e konkursit, të cilët do të kenë një bonus prej 10 000 lekësh secili, jo në vlerë monetare. Shuma do të lëvrohet për pajisjen me tituj librash, sipas përzgjedhjes së fituesve, në Librarinë Adrion në Tiranë.{:}