Ministry of Economy, Culture and Innovation

30 kantiere restaurimi në gjithë Shqipërinë

Muaji korrik i gjen monumentet e kulturës në 30 kantiere restaurimi në të gjithë vendin. Këto kantiere restaurimi janë vetëm disa nga ofertat e reja turistike në programin ‘Rrugët e besimit’, ku nga Veriu në Jug, pas restaurimit do të ofrojmë për turistët vendet e kultit më tipike dhe përfaqësuese, jo vetëm të kulturës dhe artit, por edhe të bashkëjetesës fetare si një origjinalitet shqiptare. Kanë nisur punimet në Kalanë e Beratit, në pikën panoramike Tabja, pjesë e paketës së investimeve për Beratin. Ndërhyrja është pjesë e një pakete investimesh prej rreth 13.5 Milionë Euro, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar dhe Turizmin që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton për llogari të Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore. Punimet e restaurimit kanë nisur edhe në Shtëpinë Muze të vëllezërve Frashëri, në këtë monument të rëndësishëm të kulturës dhe historisë. Në këtë verë janë miratuar disa projekte restaurimi nga Instituti i Monumenteve, që përfshijnë: Restaurim “Ura Antiko – Mesjetare “mbi lumin Vjosë, nën kalanë e Tepelenës;Restaurim “Ura e Nivanit”, Zagori; Restaurimi i “Kalasë së Drishtit”, Shkodër; Restaurim i pikturës murale në Kishën e Marmiroit, Pashaliman – Vlorë; Restaurim i “Kalasë së Bashtovës”, pranë fshatit Vilë, Rrogozhinë; Restaurim i “Urës së Mesit”, në fshatin Mes, Shkodër; Restaurim i “Kishës së Ipapandisë”, në Dhërmi –Vlorë.{:}