Ministry of Economy, Culture and Innovation

Burrel – Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Drejtoreshën e Strehimit Social në MEKI, znj. Dardana Grabovaj, zhvilluan një vizitë në Godinën e ish-Shtëpisë së Oficerëve, e cila sot ka rilindur falë një investimi të rëndësishëm, duke u shndërruar në një banesë sociale dhe një Qendër Multifunksionale në shërbim të komunitetit.

Kjo godinë, dikur e braktisur dhe jashtë funksioni, është transformuar tërësisht në një hapësirë moderne, të përshtatur për nevojat e familjeve që kanë qenë më parë pjesë e programeve të ndihmës ekonomike dhe të strehimit social në bashkinë Mat.

Sot, falë këtij projekti, këto familje jo vetëm që kanë gjetur një strehë të sigurt, por kanë edhe një mundësi reale për të përmirësuar ndjeshëm kushtet e tyre të jetesës. Për shumë prej tyre, ky është një hap i madh drejt stabilitetit dhe integrimit të plotë në shoqëri.

Zëvendësministri Musabelliu vlerësoi rolin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe angazhimin e qeverisë për të garantuar që politikat e strehimit dhe mbështetjes sociale të mos mbeten thjesht në letër, por të konkretizohen në zgjidhje të prekshme për qytetarët në çdo cep të vendit.

Transformimi i kësaj godine është një shembull i qartë se si investimet publike, të orientuara drejt njerëzve, mund të rikthejnë dinjitetin dhe shpresën për dhjetëra familje që deri dje përballeshin me pasiguri jetese.

Foto Album