Ministry of Economy, Culture and Innovation

Shqipëria, Italia, Mali i Zi takohen në Tiranë për H.A.M.L.E.T

Takohen në Tiranë për projektin H.A.M.L.E.T, (Highlighting Artisanal Manufacturing, cuLture and Eco Tourism), i cili ka bërë bashkë Shqipërinë, Italinë dhe Malin e Zi në një nismë të hartuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe të financuar nga Programi IPA CBC INTERREG. Projekti H.A.M.L.E.T e vë theksin në njohjen dhe vlerësimin e pasurive të shumta natyrore, prodhimtarisë artizanale e kulturore të fshatrave dhe qytezave me tradita historike, duke synuar kthimin e tyre në vende tërheqëse për turizimin, me qëllim rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të këtyre zonave. Projekti ka fituar mbështetjen nga Fondet IPA të Bashkimit Europian dhe së shpejti nis faza e zbatimit që do të zgjasë dy vjet. Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi njihen për praninë e pasurive të shumta natyrore, fshatrave historike dhe qyteteve të vogla, ndaj projekti do të zbatohet në vende ku ka monumente, artefakte historike dhe pasuri natyrore që aktualisht nuk shfrytëzohen plotësisht, por që mund të luajnë një rol të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kombëtar. H.A.M.L.E.T synon të rrisë bashkëpunimin dhe rrjetëzimin ndërmjet tre vendeve të Mesdheut, duke punuar drejt identifikimit të veçorive në zonën e Adriatikut.{:}