Ministry of Economy, Culture and Innovation

Në kuadër të aktiviteteve të Komisionit Europian, nëpërmjet programit të Asistencës Teknike TAIEX/KE, si dhe INTERPOL, Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit është përfituese e një workshop-i rajonal  “Mbi zbatimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura për sistemin e drejtësisë si dhe institucionet e tjera zbatuese – krimi i të drejtave të pronësisë intelektuale”. Ky aktivitet organizohet më datat 24- 26 Qershor 2014, në Tiranë.

Qëllimi i këtij workshopi është shkëmbimi i praktikave dhe eksperiencave më të mira dhe forcimi i autoriteteve shtetërore zbatuese midis Vendeve të Ballkanit Perëndimor: Bosnia/Herzegovina, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Shqipëria, si dhe shtete te tjera të rajonit si Sllovenia, Bullgaria dhe Kroacia të cilat do ndajnë eksperiencën e tyre në Shqipëri.

Lektorë të ftuar për të prezantuar në këtë workshop janë ekspertë të fushës me një eksperiencë të konsiderueshme në fushën e zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale si: Z.Di Meo Simone  Zyrtar i Inteligjences Kriminale, Interpol, Z. Francoise Dorcier – Zyrtar i Inteligjencës Kriminale, Interpol;  Znj. Andrelika Grlic – Drejtuese e Inspektoratit të Tregut / Slloveni, si dhe Z. Finn Christensen, Komisioni Europian nga Departamenti i Investigimeve të Drejtave të PI. Nga pala shqiptare do të referojë Drejtori i ZSHDA, Z. Evien Dako – mbi aspektet ligjore të të drejtave të pronësisë intelektuale në RSH; Z. Cezar Keci dhe Fran Riza- nga Drejtoria e Krimit Ekonomik – Policia e Shtetit; Z. Avni Luci – Drejtoria e Përgjithshme e Doganave; si dhe Znj. Ida Ahmetlli – Prokurorja e Rrethit Tiranë.

Në këtë aktivitet 3 ditor janë ftuar të marrin pjesë institucionet shtetërore zbatuese të të drejtave të pronësisë intelektuale të vendeve të rajonit, si: Zyrat shtetërore të Markave dhe Patentave si dhe ato të të Drejtës së Autorit, Inspektoriatet e Tregut, Autoritetet Doganore, Policia e Shtetit, gjyqtare nga rrethe  te ndryshme të RSH, etj. Numri i pjesëmarrësve është përafërsisht 90 persona.

Ky aktivitet përveç natyrës së tij informuese për rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes që kanë të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, ka si qëllim të tij përcaktimin e qartë të detyrave, rolet dhe sfidat e sotme te institucioneve të ndryshme shtetërore në mbrojtjen dhe zbatimin e te drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me të, si dhe mundësinë e bashkëpunimit ndër – rajonal midis vendeve pjesëmarrëse.{:}