Ministry of Economy, Culture and Innovation

Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Sokol Duma, prezantoi në Komisionin për Çështjet Ligjore projektligjin e ri “Për Markat Tregtare”, një nismë thelbësore për modernizimin e kuadrit ligjor në fushën e pronësisë industriale dhe për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian.

Risitë kryesore të projektligjit përfshijnë:

  • Rregullimin e plotë të marrëdhënieve juridike që lidhen me markat tregtare;
  • Mbrojtje më efikase kundër abuzimeve dhe shkeljeve të të drejtave të markës;
  • Harmonizim të thelluar me acquis-in e BE-së, veçanërisht me Direktivën 2015/2436 dhe Rregulloren (BE) 2017/1001;
  • Rregullim i qartë për regjistrimin dhe efektin në Shqipëri të markave ndërkombëtare;
  • Masa konkrete për ndalimin, konfiskimin dhe bllokimin e mallrave që cenojnë të drejtën e markës.

 

Në një treg gjithnjë e më të hapur dhe dinamik, ku rastet e abuzimeve dhe konflikteve për markat janë shtuar ndjeshëm, ky projektligj synon të garantojë një kuadër ligjor të sigurt, funksional dhe në përputhje me realitetin tregtar të vendit.

Ky projektligj është gjithashtu pjesë e Planit Kombëtar për Integrimin Europian dhe miratimi i tij përbën një hap domethënës në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.