Ministry of Economy, Culture and Innovation

[metaslider id=1168]

Restaurohet në Shkodër ikona e Zojës së Këshillit të Mirë, ndër portretet më të vjetra të Shën Mërisë me Jezusin fëmijë. Në ceremoninë e prezantimit i dërguari i atit të shenjtë, kardinali Franc Rode, e cilësoi popullin shqiptar ndër më të vjetërit në botë dhe shembull për t’u ndjekur në Evropë, për trashëgiminë kulturore.

Pas 7 muajsh punë intensive nga specialistët e Institutit “Palazzo Spinelli” në Firence është rikthyer në shtëpinë e vet në Shkodër, ikona e “Zojës së Këshillit të Mirë” pajtores së Shqipërisë, portret i Shën Mërisë me Jezusin fëmijë.

Në ceremoninë e prezantimit përveç drejtuesve të lartë të kishës katolike, ishte edhe i dërguari i atit të shenjtë kardinali Franc Rode, si dhe Ministrja e Kultures Mirela Kumbaro dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Franc Rode: “Shqipëria nuk do të vdesë  kurrë nga të ftohtit sepse ruan kujtesën e saj historike, legjendat e saj dhe identitetin e saj, kulturor dhe shpirtëror. Shqipëria është një premtim i të ardhmes për të dhënë një mesazh. populli shqiptar është ndër më antikët në evrope, por gjithmonë i ri, dhe duhet të ofrojë një shembull për Evropën dhe mbarë botën”.

Angelo Massafra: “Nevoja dhe ngutshmëria për një dialog të ripërtërirë mes politikës dhe etikës, mes bukurisë së vërtetë dhe mirësisë na riparaqiten jo vetëm prej debatit aktual kulturor dhe artistik, por edhe prej realitetit të përditshëm”.

Ministrat Kumbaro e Bushati theksuan se vendi ka nevojë për memorien kolektive.

Mirela Kumbaro: “Zoja e Shkodrës meritonte jo vetëm nderim shpirtëror nga besimtarët dhe kisha por meritonte edhe dinjitet artistik si trashëgimi kulturore dhe historike nga institucionet dhe nga shteti”.

Ditmir Bushati: “Kujtojmë një histori mistike e cila vazhdon të na intrigojë, një parabul e përkryer e historisë së popullit tonë. Nga ana tjetër, sot mund të gëzohemi për restaurimin e kësaj pikture të mëvonshme të Zojës, e cila mbijetoi mrekullisht si një pasqyrë e krisur por ende e pathyer e afreskut shekullor”.

Portreti do të vendoset në Muzeun e dioqezës pranë katedrales së Shkodrës, aty ku gjenden relike të çmuara të besimit të krishterë.

Procesi nisi në shtator të vitit 2015, falë interesimit të Dom Artur Jakut dhe përkushtimit të Ministres së Kulturës znj. Mirela Kumbaro. Menjëherë specialistët e sektorit të artit pranë IMK-së, nisën punën nëpërmjet ndërhyrjeve prekonsoliduese, të cilat konsistuan në ndalimin e degradimit të veprës.

Duke marrë parasysh rëndësinë simbolike dhe vlerat e paçmueshme që “Zoja e Shkodrës” mbart, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës vendosën të dërgojnë këtë vepër në Firence, pranë institutit të ekselencës për restaurimin, “Palazzo Spinelli”, me të cilin Ministria e Kulturës ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit prej majit 2015.

Piktura mbërriti në laboratorët e Palazzo Spinelli në tetor 2016. Restaurimi i saj zgjati 7 muaj dhe në këtë proces u përfshinë një grup restauratorësh të profileve të ndryshme, si dhe u realizuan analizat e plota të elementeve të telajos dhe përbërësve të ngjyrave.

Sot, me rastin e 550 vjetorit të përcjelljes së ikonës “Pajtorja e Shqipërisë” nga Shkodra drejt Genazzano-s në Itali, piktura “Zoja e Shkodrës”, ky thesar i trashëgimisë tonë kulturore rishfaqet në Katedralen e Shkodrës.{:}