Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Nis festivali kulturor “ Balkan Trafik”. Festë multikulturore në “Grand Place” në Bruksel, me pjesëmarrjen e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe të Grupit Artistik të Shoqatës Shqiptare “ VATRA”

Të pranishëm edhe Komisionerja e BE-së, zonja Kristalina GEORGIEVA dhe personalitete të tjera të larta.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës zoti Ilir Tepelena përshendeti publikun e gjerë në Grand – Place

 

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës u kthye në një festë të madhe popullore në Grand – Place – sheshi më i bukur karakteristik në Bruksel. Me dhjetra mijëra njerëz të moshave dhe kombësive të ndryshme të ardhur dhe nga shumë vende të botës, ndërmjet tyre shumë bashkatdhetarë ishin mbledhur në këtë shesh të famshëm mes një atmosfere festive.

Në orën 13:30 nisi ceremonia zyrtare e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore, më e madhe për rajonin tonë në Belgjikë. Në tribunën e ngritur me këtë rast në qendër të sheshit të famshëm “ Grand Place” u ngjitën Komisionerja e BE-së Kristalina GIORGIEVA, Drejtori i Përgjithshëm i Festivalit “Ballkan Trafik” Nicolas Wiewrs, Ambasadorja e Kosovës, Mimoza Ahmetaj dhe të tjerë.

 Pasi Festivali “ Ballkan Trafik” u deklarua i hapur, iu dha fjala për të përshëndetur të pranishmit e shumtë në shesh Ambasadorit të Shqipërisë në Belgjikë, zotit Ilir Tepelena. Ndër të tjera, ai tha se “Në guidat turistike të Brukselit shkruhet se ‘nëse doni të thoni diçka, thuajeni ne Bruksel’. Edhe sot Shqipëria dhe shqiptarët do ta thonë fjalën e tyre përmes Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, por edhe kultura shqiptare do të flasë në Bruksel, në kryeqytetin e Belgjikës, Evropës dhe botës së kulturës kozmopolite. Shqiptarët janë një nga popujt më të lashtë të Evropës, ndaj dhe kultura e tyre ka vendin e merituar, së bashku me vlerën e shtuar në Evropë. Evropa ka qenë, është dhe do të jetë para së gjithash kulturë…”

Pjesëmarrja e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore ne festivalin “Ballkan Trafik” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Ambasada e Shqipërisë në Belgjikë, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

Në vijim, Ansambli ynë i Këngëve dhe Valleve Popullore i dhuroi publikut mes ovacioneve dhe duartrokitjeve të parreshtura një buqetë të freskët me krijimet më të mira e tradicionale të këngëve dhe valleve shqiptare.

Sheshi Grand Place u zbukurua nga kostumet shumëngjyrëshe të grupit të valleve të cilët mes shoqërimit të orkestrës virtuoze interpretuan disa prej valleve më të njohura të këtij Ansambli nga të gjitha trevat e vendit tonë. Në fund të koncettit, valltarëve të asamblit në sheshin “Grand Place” iu bashkuan me qindra të pranishëm, duke krijuar një rreth gjigand vallesh dhe kostumesh shumënjyrëshe, të cilat ndezën atmosferën në sheshin më të bukur karakteristik të Evropës.

Pas shfaqjes së Ansamblit, festa vijoi me pjesëmarrjen e grupeve amatore të valleve të komunitetit shqiptar të komunës së Molenbeekut, Bruksel.

Të pranishmit në Grand Place, përfaqësues të medias e shtypit belg e atij ndërkombëtar u shprehën me fjalët dhe përshtypjet më të mira e të mahnitur nga niveli i lartë i shfaqjes së Ansamblit tonë. Ky koncert u konsiderua prej tyre si një dhuratë e bukur e kulturës dhe muzikës shqiptare në një festë të madhe popullore si kjo, në një prej shesheve më të bukur të Evropës.

Jehona e kësaj shfaqjeje vijon në faqet e shtypit dhe medias. Ndërkohë, shtohet interesimi për shfaqjet e Ansamblit tonë në kuadrin e festivalit “ Ballkan Trafik”.

Ansambli ynë do të vijojë shfaqjet e tij në mjediset e Qendrës së Arteve të Bukura ( BOZAR) më 2 dhe 3 Maj; Më 3 Maj në orën 16:15, ai do të japë bashkë me grupin polifonik popullor “ Jonianet dhe Sazet” koncertin e tij zyrtar në sallën madhështore

“ Henry le Boeuf”.

Balkan Trafik Festival nisi këtë edicion në ditën e parë të muajit maj, ndërsa për katër ditë me radhë muzikë, filma, ekspozita, debate e punëtori do të ketë në Qendrën e Arteve në Bukura BOZAR në Bruksel. Sivjet gjithçka nisi me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve nga Shqipëria, një nga më të vjetrit në Ballkan, duke vazhduar me valltarët bullgarë nga Shiroka Luka dhe Ansamblin nga Serbia KOLO.

Në festival sivjet vjen edhe grupi Antwerp Gipsy-Ska Orkestra, Balkan Trafik Orkestra, Caci Vorba nga Polonia, Kolektif Istanbul dhe Gjyshet nga Bistrica, këto të fundit muzikante nga Bulgaria.

Sivjet festivali është përqëndruar në muzikën rome, dhe pjesën evropiane që e kultivon këtë muzikë. Fokusi i sivjetmë i festivalit është Greqia, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të këngëtarit legjendë, Dalara, por edhe shtetet tjera tanimë kanë përfaqësuesit e tyre në katër ditë larushi muzikantësh në BOZAR.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të japë dy koncerte në datat:
2 maj 2014, ora 18.30-19.45
3 maj 2014, ora 16.15; 19.30; 22.00
Koncertet do të jepen në Bozar-Pallati i Arteve te Bukura, Bruksel
Rue Ravensteinstraat-23.100
Biletat mund ti rezervoni online në www.bozar.be
tel: +32 (0) 2 507 82 00

Foto: facebook.com/balkan.trafik{:}