Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Pas 5 vitesh rikonstruksion dhe mbylljeje për shkak të pandemisë Covid 19, Teatri Kombëtar i Operës dhe i Baletit ngriti perdet. Një investim madhor prej 14 milionë eurosh, që ka sjellë një ndyshim rrënjësor në të gjithë teatrin, i cili vuante degradimin shumëvjeçar. Tanimë ka një skenë moderne sipas standardeve euopiane, në akustikë, ndriçim, foni etj., salla provash, grimi, veshjeje, bibliotekë, hapësira komode për publikun etj.

Me këtë rast ishin menduar dy koncerte gala, por ishte ai i datës 15 që synonin të gjithë. E bënte kaq të dëshiruar këtë koncert prania e tenorit të madh Placido Domingo dhe sopranos së jashtëzakonshme Ermonela Jaho, të cilët ofruan një performancë mbresëlënëse në skenën e rinovuar të TKOBAP.

Koncerti i ideuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e TKOBAP, Zana Çela, niste me një dokumentar prej 30 minutash, ku rrëfehej mbi historinë dhe rikonstruksionin e TKOBAP përmes zërave të shumë artistëve të skenës, drejtoresha Zana Çela, ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ministrja e rikonfirmuar në detyrë, Elva Margariti që përmbylli procesin e rikonstruksionit dhe Kryeministri Edi Rama.

Koncerti ishte një ndërthurje e disa prej veprave më të mira dhe simbolike të muzikës operistike dhe e veprave koreografike shqiptare, që mbajnë firmën e kompozitorëve: At Martin Gjoka, Prenkë Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, me kryevepra botërore nga Verdi, Bizet, Puçini, Vivaldi, Serasade, Donizetti etj.

Interpretuan Orkestra e TKOB, nën drejtimin e dirigjentit Martin Andre, korit nën drejtimin e Dritan Lumshit, solistëve Vikena Kamenica, Armando Likaj, Eva Golemi, Klodian Kaçani, Nina Muho etj. Por edhe trupa e baletit, nën koreografinë e Angjelin Preljocajt dhe Julind Dervishit. Një shfaqje dinjitoze, pas së cilës erdhi edhe shpërblimi nga qeveria Rama: dyfishim i pagave të solistëve dhe rishikim i pagave të të gjithë trupës. Në fjalën e rastit, ministrja Elva Margariti e quajti një mbrëmje-homazh, kushtuar njerëzve të dashur që humbëm në betejën me COVID19, mes tyre edhe shumë artistë; korifenjve të skenës që ëndërruan për skenat e mëdha botërore, të cilëve u kushtohej edhe instalacioni me lule të bardha në hyrje të TKOBAP, realizuar nga artisti Ergys Krisiko.

Margariti falënderoi artistët për sakrificat që iu deshën të bënin gjatë periudhës së rikonstruksionit, pa harruar vendimmarrësit, që nisën një ëndërr gjeneratash dhe realizuan rikonstruksionin e kësaj godine. Por, sigurisht që ajo çka të gjithë prisnin ishte performanca e Ermonela Jaho dhe Placido Domingos, që ishte po aq e shkëlqyer sa edhe pritej. Jaho interpretoi dy arie, Domingo një syresh, duke kulmuar në duetin Germont-Violeta nga opeta “La Traviata” e Giuseppe Verdit. Një dyet që u duartrokit shumë gjatë nga publiku. {:}