Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Pavijoni i Shqipërisë këtë vit titullohet “Potential Monuments of Unrealised Futures”. Përurimi i pavijonit u mbajt më datën 6 qershor, në orën 15.30 në prani të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së kulturës, Mirela Kumbaro dhe presidentit të Bienales, Paolo Baratta.

Shqipëria përfaqësohet me dy nga artistët e saj më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare, Adrian Paci me veprën e tij “The column” dhe Edi Hila me serinë e pikturave “Penthouse”. Pavijoni i Shqipërisë këtë vit titullohet “Potential Monuments of Unrealised Futures” (Monumente të Mundshëm Ardhmërisht të Parealizuara), realizohet nën kujdesin e Beyond Entropy Europe (e përfaqësuar nga Jonida Turani dhe Stefani Rabolli Pansera), që vitin e shkuar ka qenë ideatore e pavijonit të Angolës në Biennalen e Artit, për të cilin u shpall dhe fituese e “Luanit të Artë” si përfaqësimi më i mirë kombëtar.

Kryeministri e konsideroi praninë e Shqipërisë në Bienale si prezantim i Shqipërisë tjetër, asaj të kulturës dhe të artit. Ndërsa ministrja e Kulturës Mirela Kumabaro shprehu krenarinë për suksesin e artistëve shqiptarë dhe paraqitjen dinjitoze të pavijonit të Shqipërisë.

“Për ne, për mua si Kryeministër i një vendi, i cili nga larg shihet si një vend që gjeneron ankth, është një betejë shumë e rëndësishme, nga njëra anë, për të investuar më shumë në kulturë dhe nga ana tjetër, për të paraqitur këtë anën tjetër të vendit, që paraqet një pamje shumë rrezatuese dhe shumë tërheqëse, e përfaqësuar nga artistë vërtet të mëdhenj, jo vetëm në artin pamor, por edhe në muzikë dhe në të gjitha sferat e krijimtarisë.”, kështu është shprehur kryeministri Rama në Bienalen e Venecias.

Një interes dhe vëmendje të veçantë ka patur pavijoni shqiptar në këtë Bienale, ende pa u hapur. Simona Maggiorelli në revistën e artit LEFT shkruan për ‘kolonën’ e Adrian Pacit: “Një vepër vizionare dhe poetike, që shtron pyetje të qenësishme mbi artin dhe tregun, mbi dinjitetin dhe punën e shfrytëzuar nga ritmet e sforcuara të globalizmit. Në të njëjtën kohë vepra rrëfen kërkimin e së bukurës, si një kërkesë shpirtërore e çdo qenie humane. Në këtë video gjejmë shumë tema që përsiaten me rrugëtimin e vetë artistit, si udhëtimi, raporti mes Lindjes dhe Perëndimit, realizimit dhe mosrealizimit, mes realitetit dhe krijimit”. E ndërsa piktori Hila, vazhdon gazetarja, ‘rikrijon peizazhin urban, duke na sjellë fasadat dhe shtesat e një modernizmi të papërfunduar arkitektonik’.

Ministrja Kumbaro u shpreh për të pranishmit në ceremoni se “ Jetojmë mes dy brigjeve, jo thjesht sepse jemi në të njëjtën lagunë, por edhe pse gjendemi mes dy vendesh, Italisë dhe Shqipërisë, të ndarë nga njerëz që përthithen nga moderniteti”.

“Shqipëria flet të njëjtën gjuhë si të gjitha vendet e tjera, këtu në Bienalen e Venecias, për të përcjellë dinamikën e saj ku bashkëjeton energjia e të rinjve me thellësinë e një historie jo shumë të thjeshtë si kjo e jona, por me dëshirën e pashterur për rilindje dhe kreativitet. Është kjo dinamikë që transformon çdo ditë vendin tonë, në një moment kyç, me aspiratën e saj evropiane. Sot, Shqipëria flet përmes artit dhe forcës krijuese të dy artistëve, Edi Hila dhe Adrian Paci,” tha Kumbaro.

Kuratorja e pavijonit të Shqipërisë Jonida Turani u shpreh se kjo paraqitje është vetëm fillimi i bashkëpunimeve të tjera. “Ky projekt nuk mbaron këtu, por shërben edhe si pikënisja e një debati që mund të vazhdojë veçanërisht në Shqipëri, sepse ky është edhe qëllimi ynë, pra, jehona dhe rezonanca e tij në vendin e origjinës,” – u shpreh Turani.

Pavijoni i Shqipërisë dhe paraqitja e dy artistëve Hila dhe Paci u vlerësuan me entuziazëm edhe nga kuratori italian Stefano Rabolli Pansera. “Gjëja e veçantë dhe jashtëzakonshme e Shqipërisë është se në çdo kohë, ajo ka lënë gjurmë të forta, por që vërtet asnjëherë të përmbushura e të përmbyllura. Artistët tregojnë sesi kjo situatë, që për shumë sy europainë mund të duket një disavatanzh, përbën një mundësi për të krijuar potenciale, si një instrument kryesor për të imagjinuar arkitekturën në shekullin e 21-të,” – u shpreh Stefano Pansera. Ishte i shumtë numri i pjesëmarrësve në këtë ceremoni, ku vlen të përmendet pjesëmarrja e veçantë e presidentit të Bienales, Paolo Baratta, i cili në mesazhet e tij thekson se “Shpirti i kërkimit është gjithmonë një sfidë e Bienales, në këtë edicion është Bienalja vetë që realizon kërkimin. Jemi të bindur për këtë zhvillim të rëndësishëm dhe për këtë mundësi të jashtëzakonshme që na ka ofruar kuratori I sivjetëm, Rem Koolhaas. Shpresoj se bashkë me të i kemi dhënë jetë një Bienaleje të madhe mbi arkitekturën.

Artisti Adrian Paci, me një eksperiencë të jashtëzakonshme ndërkombëtare u shpreh se “Bienalja e Venecias është një hapësirë ku takohen dhe kryqëzohen kontributet kombëtare. Jam shumë i nderuar që përfaqësoj Shqipërinë, së bashku me Edi Hilën” . Përmes vizioneve të dy artistëve, Shqipëria jep kontributin e saj në këtë Bienale të Arkitekturës duke sjellë hapjen dhe njëherësh problematikën e identiteteve të mbyllura, me temën “Monumente të Mundshëm Ardhmërisht të Parealizuara”.

“Pa më të voglin dyshim, artistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi. Për fat, jo rastësisht, Shqipëria ka disa prej tyre. Dje, Anri Sala, sot Paci e Hila, por edhe Jonida Turani e Beyond Entropy janë prova e gjallë e ekzistencës. Ashtu si është Edi Rama, artist nga shpirti dhe kryeministër nga misioni. Ju ftoj ta vizitoni pavijonin shqiptar, si një moment reflektimi mbi hapësirën e përbashkët të jetëve të ndryshme që jetojmë, por edhe si një takim të drejtpërdrejtë me një vend të veçantë me dëshira të mëdha. Do guxoja të shprehem se asgjë nuk është e pamundur për shqiptarët”- do të përfundonte fjalën e saj, ministrja Kumbaro.

Kryeministri Rama, ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro ishin të pranishëm edhe në hapjen e pavijonit të Kosovës në Bienale. Ata u ndalën gjatë edhe në këtë pavion, ku shkëmbyen vlerësime me artistë dhe kuratorin e tij. “Është një kullë nga shkëmbi, nga elementi popullor më i vjetër yni , autentik, i cili mban të njëjtin emër me shkëmbin, gurin, shkëmbi edhe ulësja. Është element shumë i vjetër i arkitekturës sonë dhe ne e kemi transformuar në një shprehje moderne bashkëkohore, në një kullë rrethore. Pjesa tjetër e ekspozitës sonë prezantohet si një mur i kartëpostaleve . Janë 360 kartëpostale të ndryshme, të cilat tregojnë arkitekturën kosovare që nga viti 1863 e deri sot,” – u shpreh kuratori Gëzim Paçarizi.

Pavijoni i Shqipërisë, kurohet nga Beyond Entropy Europe (JonidaTurani, Stefano Rabolli Pansera), ideatorë të pavijonit të Angolës në Bienalen e Artit te Venecias 2013, që u shpall dhe fitues i “Luanit të Artë” si përfaqësimi më i mirë kombëtar. Mbikqyret nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe realizohet nga Ministria Kulturës së Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave, me mbështetjen e artistëve pjesëmarrës, galerivetë tyre dhe koleksionistëve e donatorëve privatë. Pavijoni do të qëndrojë i hapur për publikun nga 7 qershori deri më 23 nëntor 2014.{:}