Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Kryeministri Edi Rama i dhuron medaljen ekskluzive sopranos shqiptare, zërit operistik që dominon sot skenat botërore, Ermonela Jahos. Për të nderuar sopranon më 5 prill, u organizua në Kryeministri, një ceremoni krejt e veçantë, që bëri bashkë artistë shqiptarë dhe miq të artistes. Teksa i dhuroi sopranos medaljen, Kryeministri Rama u shpreh:
“Në përpjekje për të bërë atë që mund të bëjmë e që mund të bëj për të shprehur gjithë kënaqësinë, krenarinë dhe respektin, nuk gjeta gjë më të madhe sesa medaljen ekskluzive që Kryeministri ia jep vetëm kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave të shteteve të tjera.”
Ne shqiptarët “bëjmë mrekulli” kur bëhemi bashkë, ishte mesazhi i Ermonela Jahos, ndërsa falënderoi Kryeministrin për vlerësimin.
“Është një surprizë që nuk gjej dot fjalët për ta përshkruar. Faleminderit zoti Kryeministër! Ndjehem shumë e nderuar dhe dua të them vetëm dy fjalë. Nuk ka emocion më të madh e një kënaqësi të jashtëzakonshme, kur ndjehesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim. Mendoj që vlerësimi për njëri-tjetrin është çelësi kryesor i suksesit të çdo lloj ndërmarrjeje. Këtë gjë e kam provuar me ardhjen time, me rolin e Madam Butterfly në Teatrin e Operës e Baletit. Gjithmonë kemi menduar dhe flas në emër të shumë artistëve me të cilët kam folur jashtë Shqipërisë, se e kemi shumë të vështirë të vlerësojmë e të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por në momentin që gjejmë çelësin e zemrës, respektojmë, vlerësojmë e bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, ne shqiptarët bëjmë mrekulli. Ajo mrekulli, siç ndodhi kur bashkuam të gjithë zemrat, të gjithë artistët, me operën Madam Butterfly dhe qe ai rezultat që njerëzit donin të vinin jo për të parë këngëtaren, por të ndjerë diçka të vërtetë, diçka të sinqertë që vinte nga ky bashkim zemrash që bëmë ne, gjithë artistët shqiptarë. Ju falënderoj shumë dhe ky është hapi i parë i detyrës që duhet të bëjë një artist për vendin e tij,” – u shpreh soprano Ermonela Jaho.{:}