Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Studio fituese e Konkursit Ndërkombëtar të projektimit për “Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi” u zgjodh “Casanova-Hernandez”, studio holandeze.

Etapat e zgjedhjes së studios dhe detajet e aktivitetit të dt 30 Mars 2014.

SHKODËR- 5 Studiot fituese paraqitën në mënyrë të detajuar projektet e tyre për restaurimin e fototekës Marubi. Në aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, deputet, përfaqësues të artit dhe kulturës, e qytetarë. Ky është një ndër projektet më të mëdha të qeverisë shqiptare dhe FSHZH që ka si për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e trashegimisë  sonë  kulturore. Aktiviteti i  sotëm shënon fazën përmbyllëse të Konkursit Ndërkombëtar të Projektimit për “Restaurimin e dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi”.  Konkursi i cili është organizuar nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Atelier Albania  është konceptuar në dy faza:

Faza e Parë “Thirrje për Pjesëmarrje”: 7 shkurt 2014 – 28 shkurt 2014. Në 7 Shkurt 2014, u shpall Konkursi Ndërkombëtar për “Restaurimin dhe Muzealizimin e Fototekës Kombëtare Marubi”. Konkursi, nëpërmjet një procesi transparent dhe të hapur, synonte të përfshinte në projekt arkitektë, arkitektë-restaurues, inxhinierë, muzeologë dhe kuratorë me eksperiencë që do të krijonin koncepte origjinale dhe largpamëse për transformimin e godinës Marubi. Në Konkursin Ndërkombëtar të projektimit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, aplikuan 26 studio, me shpërndarje gjeografike mjaft interesante, nga të cilat 11 nga Italia, 9 nga Shqipëria, 1 aplikim nga Gjermania, Holanda, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Japonia dhe Kosova, ku u përzgjodhën pesë studiot e mëposhtme për të kaluar në fazën e dytë:

1. Aterlier4                            Studio Shqiptare
2. Biundici                            Studio Italiane
3. Casanova&Hernandez        Studio Holandeze
4. Lorenco&Co                      Studio Shqiptare
5. Zvi Hecker                         Studio Gjermane

Faza e Dytë “Thirrje për Propozime”: 1mars-30 mars 2014.  Studiot e mësipërme zhvillojnë projekt-idenë e tyre dhe e prezantojnë në një proces publik dëgjimor, më  30 mars 2014, kur Juria Ndërkombëtare shpall edhe fituesin, i cili do të përpunojë më tej projektin e zbatimit. Ky projekt zbatimi pritet të dorëzohet në maj 2014.
Juria përbëhet si me poshte:

1. Znj. Mirela Kumbaro      Ministre e Kultures
2. Z. Zef Paci                   Studiues arti
3. Znj. Anila Alite              Arkitekte
4. Z. Dietmar Steiner        Drejtor i Qendres se Arkitektures, Viene
5. Znj. Rossana Atena      Arkitekte

Në fjalën e tij ndër të tjera, kryeministri I vendit Edi Rama tha se ““Me pasion dhe me vullnet që na tregoi gjendjen e mjeruar që ishin lënë gjithë pjesët e çmuara të këtij thesari, veç vetëm nga përpjekjet individuale të disa personave. Ta kalojnë thesarin nga vendi krejt i papërshtatshëm në vendin që meriton. Në një hapësirë të projektuar nga një prej figurave më të shkëlqyera Kolë Idromeno. Përgëzoj Ministren e Kulturës, për mbërritjen kaq shpejt në këtë stacion. E kishim parashikuar brenda 300 ditëve të para të qeverisë. Donim të garantonim këtë cilësi, dhe ja arritëm. E dyta për inventarizimin e thesareve tona të lëna rrugëve. Për të cilat sot e gjithë ditën, nuk kemi inventar, nuk dimë ekzaktësisht se sa vlera materiale disponojmë në fushat e trashëgimisë kulturore. “Marubët” kanë drithëruar botën kur kanë dalë në sy të ekspertëve të huaj, shprehu vendosmërinë e qeverisë së tij që çdo vit të rrisi volumin e të mirave materiale që do të shpenzojë për trashëgimin kulturore.
“Sot në kaq pak kohë, janë blerë të gjitha aparaturat, është përgatitur ekipi teknink për të filluar dixhitalizimin e veprës së Marubit. Deri në ditët tona ka ardhur i dëmtuar por që ka akoma për t’ju thënë brezave që do të vijnë. Me ministren ndajmë bindjen, se me 1 km asfalt më pak dhe një thesar të shpëtuar, se kaq kushton shpëtimi, bëjmë më tepër rrugë. Qeveria është shumë e vendosur që çdo vit të rrisim volumin e të mirave materiale që do të shpenzojmë për trashëgimin kulturore. Ne besojmë se duke bërë hapa si ky sot, bëjmë të mundur rritjen e dinjitetit kombëtar dhe forcimin e dinjitetit evropian. Marubët kanë drithëruar botën kur kanë dalë në sy të ekspertëve të huaj. Veprat që do të tregonin patriotizmin tonë mungojnë siç mungon një muze dinjitoz për Marubët. Këtë muze si akt të patriotizmit dhe si fillim i një rruge të re për Shkodrën. Janë thënë shumë fjalë por pak është bërë për të ruajtur vlerat e saj kulturore, që Shkodra i ka fatkeqësisht të dëmtuar, por që ende mund të shpëtohen.
Ky projekt pavarësisht se është i vogël ka një fuqi për të rritur ekonominë e qytetit. Një nga instrumenta që vendi ynë ka për të rritur ekonominë është bukuria natyrore dhe të thesareve kulturore. Duke rikthyer vëmendjen tek këto thesare do të shohim se si këta e rrisin ekonominë e një vendi. Ky është vetëm fillimi”, theksoi kryeministri Rama.

Ndërsa ministria e kulturës Mirela Kumbaro  e cilësoi fototekën “Marubi” si një thesar të cilin duhet vetëm ta sigurojmë dhe ta gëzojmë, duke shtuar se në përfundim të këtij muzeu, thesarin e fototekës Marubi synojmë ta regjistrojmë në thesaret e trashëgimisë botërore të UNESCO-s
“Thesari “Marubi” është një thesar që duhet të vendoset në zemër të Shkodrës, sepse vetëm aty ai është i sigurt. Thesarin “Marubi” ne nuk duhet vetëm ta sigurojmë, por edhe ta gëzojmë.
Sot do të prezantohen pesë projekte, për të mundësuar restaurimin e “Marubit”. Këto pesë projekte dolën nga gara e parë ku morën pjesë 26 propozime nga 8 vende të botës. Sot ne kemi idetë dhe teknologjitë më bashkëkohore për të vlerësuar “Marubin”. Kjo është rruga e progresit në kulturë, që na dëfton vlerat e Shkodrës dhe të pinjollëve të shquar shkodranë.
Kjo rrugë progresi i jep dinjitet krenarisë sonë për thesaret e kulturës shqiptare. Ministria e Kulturës është e angazhuar për t’i mbrojtur dhe për t’i kthyer dinjitetin e merituar trashëgimisë kulturore. Në përfundim të këtij muzeu, thesarin e fototekës Marubi ne synojmë ta regjistrojmë në thesaret e trashëgimisë botërore të UNESCO-s

 

Konkursi  për Muzeun Marubi organizohet në kuadër të projektit HERA- “Menaxhimi i turizmit të qëndrueshëm të Trashëgimisë së Adriatikut” që financohet nga Komuniteti Europian, nëpërmjet programit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA-Adriatic. Numri i organizatave partnere në projekt është 19. Projekti ka filluar zbatimin në nëntor 2013 dhe pritet të përfundojë në mars 2016.

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është krijimi i një platformë të përbashkët ndërkufitare në Rajonin e Adriatikut për menaxhimin dhe promovimin e një turizmi të qëndrueshëm, bazuar në trashëgiminë kulturore të përbashkët.
Disa nga objektivat e veçanta të këtij projekti kanë të bëjnë me reduktimin e sezonalitetit të turizmit, fuqizimin e turizmit miqësor me mjedisin dhe zhvillimin e rrjetëzimit institucional ndërkufitar për fuqizimin e turizmit.

Projekti pilot i Përzgjedhur në Shqipëri: Fototeka Marubi Shkodër

Fototeka Marubi u përzgjodh si pjesë e projektit HERA në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Synimi i ndërhyrjes në këtë objekt është përmirësimi, modernizimi dhe futja e saj në një rrjet të përbashkët me trashëgimi të tjera kulturore të Rajonit të Adriatikut. Nëpërmjet këtij projekti, Fototeka Kombëtare “Marubi”, do të transformohet në një institucion kulturor bashkëkohor, duke vendosur standarde të reja për funksionimin dhe drejtimin e saj. Ky projekt do të evidentojë dhe do rrisë vlerat historike, urbanistike, arkitektonike, etnografike e kulturore  të Fototekës Kombëtare  “Marubi”.Nëpërmjet zbatimit të këtij projekti pritet që Muzeu të tërheqë një numër të madh vizitorësh vendas dhe të huaj, si dhe profesionistë nga fushat e ndryshme.Ndërhyrja kryesore do të jetë përmirësimi në infrastrukturën e brendshme sipas një dizajni modern dhe elementëve bashkëkohorë. Parashikohen një sërë ndërhyrjesh konkrete, fizike për të bërë të mundur njohjen e njerëzve me koleksionet që ruhen në këtë fototekë e në të njëjtën kohë vendosjen e standardeve ndërkombëtare për ruajtjen, sigurinë dhe ekspozimin e vlerave historike e kulturore.

Në kuadër të projektit, Muzeu i ri Marubi, do të integrohet si pjesë e një turi virtual që do të përfshijë të gjithë projektet pilot të vendeve pjesëmarrëse, duke krijuar mundësine për krijimin e një pakete të unifikuar të turizmit kulturor që do të mbështetet dhe reklamohet nga të gjithë partnerët.

(Foto: Erion Kovaçi & Blerta Kambo){:}