Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në datat 29-30 mars u organizua në Berat takimi i tretë rajonal “Urat e Ballkanit flasin”, organizuar nga Fondacioni Ballkanika, UNESCO dhe Bashkia e Beratit, nën prezencën e Ministres së Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe Drejtores së Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova. Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi mirëpriti pjesëmarrësit në këtë event, përfaqësues të shumë vendeve të Ballkanit, të cilët kanë një vlerë të mbrojtur nga institucioni i pasurisë së njerëzimit, UNESCO, mes tyre Berati, Mostari, Lovaci, Cetnija, Struga e të tjerë.
Takimi u zhvillua në kuadër të nismës  globale “Kultura-një urë drejt zhvillimit”, e cila synon shfrytëzimin e forcës së kulturës si mjet dinamik i bashkëpunimit dhe risi për zhvillim gjithëpërfshirës ekonomik, kohezion social dhe paqe. Nisma është konceptuar që të sigurojë hapësira për bashkëpunim kulturor ndërajonal dhe rajonal, të nxisë shkëmbimet ndërmjet profesionistëve të kulturës, urbanistëve, komunave, artistëve, shoqërisë civile në politikat kulturore, në strategjitë dhe praktikat që ushqejnë dialogun ndërkulturor, por edhe stimulimin e sektorit kulturor si sektor i qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.
Në fjalën e saj Ministrja Kumbaro u shpreh se  “Nëse sistemet ekonomike ndërrohen, modelet e menaxhimit ndryshojnë, kultura trashëgohet. Si e tillë ajo mbetet dhe shton vlerën e vet sa më shumë përcillet nga një brez në tjetrin, duke treguar se njerëzimi është më jetëgjatë se sa politika e ditës dhe kuotat në bursën financiare”.
Kumbaro shprehu qartë në fjalën e saj se Shqipëria është e vendosur ta forcojë dhe zgjerojë më tej bashkëpunimin me UNESCO-n në të gjitha fushat përkatëse.  Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar të mbrojë dhe të promovojë trashëgiminë kulturore të pasur të vendit tonë si pjesë e rëndësishme e identitetit tonë kombëtar e evropian. Ministrja Kumbaro  tha se “Trashëgimia nuk është “nature morte”, por habitat njerëzor, ku historia e së shkuar lidhet me jetën moderne”.
Zonja Bokova, nga ana e saj, vlerësoi bashkëpunimin e Shqipërisë me UNESCO-n dhe rolin si anëtare në Këshillin ekzekutiv. Ajo nënvizoi rëndësinë e kulturës dhe kreativitetit si ura për zhvillimin e vendeve dhe të bashkëpunimit rajonal. Znj. Bokova përgëzoi Shqipërinë për angazhimin e saj në këtë drejtim, duke vënë në dukje projektet e rëndësishme ndërkufitare që Shqipëria është duke zbatuar në kuadër të UNESCO-s.
Menaxhimi territorial merr një rëndësi të madhe, prandaj  Kumbaro shprehu qartë se “Sensibilizimi i popullsisë, rivlerësimi moral i trashëgimisë kulturore, e më pas responsabilizimi i menaxherëve në territor, mundësia e përfitimit nga komuniteti dhe sistemi i kontrollit kapilar duke mbuluar gjithë territorin krijon atmosferën e nevojshme për ruajtjen dhe rivitalizimin e trashëgimisë kulturore dhe ekuilibrin ekonomiko-social të qëndrueshëm”.

Në takimin rajonal u zhvilluan edhe veprimtari artistike si: ekspozita “Murmurima e ujërave”, me pjesëmarrjen e piktorëve të vendeve të ndryshme të Ballkanit, që krijuan në ajër të hapur veprat që do t’i dhurohen qytetit të Beratit, koncerte nga ansamblet bullgare dhe shqiptare, si dhe një spektakël 3D animacion mbi urën e Goricës. Panairi i artizanëve të Beratit dhe Gjirokastrës shoqëroi vendet e hapura përgjatë dy ditëve të takimit rajonal “Urat e Ballkanit flasin”.{:}