Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Propozimi për ndryshimin e emrit të skenës që sot quhet Teatri Kombëtar i Komedisë nuk synon, në asnjë rast dhe në asnjë formë, mbylljen e kësaj skene.
Përkundrazi! Ndryshimi i emërtesës në Teatër Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në të kundërt nga kufizimi i sotëm, vetëm në një gjini teatrale, synon hapjen e kësaj skene për të gjitha format e artit skenik, për të gjitha rrymat e tendencat, për të gjitha performancat skenike, që mund të vijnë nga profesionistët dhe subjektet e lira artistike, duke u dhënë prioritet të rinjve, por pa penguar asnjë artist të eksperimentojë idetë e format e ndryshme të shprehjes artistike, pa kufizime.
Dëshira për një hapje të tillë, për të rritur aksesin e të rinjve në skenë dhe për të inkurajuar çdo lloj forme të artit skenik, është shprehur në të gjitha debatet dhe komunikimet publike të komunitetit artistik. Kjo është filozofia që përkthehet në këtë emërtesë të re. Madje, ministria e ka rritur buxhetin e këtij institucioni për vitin 2014 krahasuar me vitin 2013.
Ndërsa emri i Kujtim Spahivoglit, si një martir i teatrit shqiptar, që u ekzekutua nga diktatura sepse guxoi të eksperimentonte idetë e tij liberale, është nder për çdo artist që do të ngjitet në atë skenë.
Çdo zhurmë, deformim informacioni, rrekje për kufizime apo aludim për mbyllje teatri apo për prapaskena politike, është spekulim i pastër!
Skenat nuk janë as majtas, as djathtas, ato janë vetëm të artistëve.{:}