Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në Ministrinë e Kulturës, me pjesëmarrjen e  ministres, Znj. Mirela Kumbaro Furxhi,u mbajt një tryezë konsultimi për artin teatror në Shqipëri, me aktorë, regjisorë dhe drejtues të institucioneve të teatrit. Një tryezë ku u diskutua për reformën në artin teatror në Shqipëri.

Aktorë me kontratë, mundësi për artistët e rinj, kushte më të mira, dinjitet… Këto ishin disa nga kërkesat e artistëve drejtuar Ministres se Kulturës. Qëllimi i Ministres së Kulturës ishte të dëgjonte mendimin e tyre mbi teatrin dhe si mund të dilet nga gjendja në të cilën është zhytur. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, propozoi një skemë funksionimi të institucionit që drejton, përmes sistemit të kontratave. Propozimet dhe shqetësimet ishin të ndryshme, por emëruesi i përbashkët i të gjithave ishte ndryshimi. “Të hyjmë të gjithë në një sistem kontratash qarkulluese”, tha regjisori Genti Kame. Pak skeptik për gjithë sa po thuhej, aktori Helidon Fino u shpreh se “personalisht nuk kam frikë nga kontratat, madje nuk e di kush ka frikë nga kjo. Por kemi nevojë për një sistem që t’i besojmë”. “Të ikin ata që nuk punojnë. Një aktor i mirë nuk mbetet pa punë”, u shpreh aktorja Esela Pysqyli.
Znj. Kumbaro gjatë fjalës së saj shtoi se: “Askush nuk po flet për prerje me sëpatë dhe heqje nga puna, por unë po ju ofroj ca shifra: në vitin 2013 TK ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 800 milionë lekë të vjetër, nga të cilat 78% kanë shkuar për paga dhe sigurime shëndetësore, 14% për projekte artistike dhe 8 për qind për shpenzime operacionale. Për vitin 2013 TK ka vetëm dy produksione premierë, çka do të thotë se 800 milionë lekë kanë shkuar vetëm për këto dy produksione. Pyetja që bëhet, është që për një vend të varfër si Shqipëria, ku arka është edhe më e varfër nga ç’e pandehja, për shkak të keqmenaxhimit dhe një kaosi kontratash, si mund t’i shfrytëzojmë më mirë këto para, për të krijuar hapësira të tjera dhe për të prodhuar projekte të reja?”, tha Kumbaro. Duke iu referuar statistikave të ofruara nga vetë drejtori i aktual i TK-së, Kristaq Skrami, Kumbaro iu referua numrit të aktorëve të trupës dhe angazhimit të tyre. Ishin vetë të pranishmit që pranonin se ka aktorë që nuk luajnë prej vitesh, apo që fusin vetëm kartën për të marrë rrogën në bankomat. “Në Teatrin Kombëtar ka 32 aktorë, dy nga të cilët janë punësuar vitin e fundit. Ka shumë prej tyre që kanë vite pa një rol dhe paguhen si të ishin përditë në punë. Dhe këto janë para të taksapaguesve që duhet të shkojnë për shfaqje, për artistët, për publikun. Cila është forma më e mirë për ta zgjidhur. Teatri nuk e ka më luksin të ketë të njëjtën formë menaxhimi si më parë”, tha Kumbaro.

Për drejtuesin e Teatrit Shëtitës, ish-drejtorin e Teatrit Kombëtar dhe më pas dhe të atij të Metropolit, Kiço Londo, gjendja e teatrit është për të ardhur keq. “Sikur teatri të kishte kaq shumë njerëz sa janë në këtë sallë, që ta donin, situata do të ishte shumë ndryshe. Kemi folur shumë për reformën dhe, aq herë sa flitet, për aq herë bëhet mbrapa. Ka njerëz këtu që janë angazhuar në hartimin e katër ligjeve, të cilat kanë dështuar dhe tanimë teatri është në një gjendje për të ardhur keq. Gjëja e parë që kërkohet, është reformimi i Teatrit Kombëtar. Duhet ta pranojmë që kultura dhe krijimtaria në Shqipëri janë në kufijtë e vdekjes. Mediokriteti, mungesa e vizionit dhe keqmenaxhimi e ka gjunjëzuar Teatrin Kombëtar”, tha Londo. Pas ndërhyrjes së aktorit Arben Derhemi, i cili duke u mbështetur në një përvojë personale kërkoi vendosjen e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Arsimit për futjen e shfaqjeve të të rinjve e fëmijëve, Kumbaro u shpreh se “një nga gjërat që po synoj fort, është futja e edukimit përmes kulturës. Si prind dhe si pedagoge kam konstatuar një boshllëk shumë të madh në institucionet kulturore, të cilat kanë si synim të madh vetëm publikun e rritur. Nuk ka jetë artistike të menduar për grupmoshat e tjera. Duhet të presim që dikush të shkojë 40 vjeç që të shkojë në opera, teatër, muze…. Edukimi artistik është detyrë dhe duhet të fillojë që 5 vjeç. Nuk është e thjeshtë, por do të jetë e detyrueshme që në kalendarët e institucioneve të ketë edhe programe për fëmijë. Pranë Ministrisë ne po ngremë një bërthamë që do të merret me këtë lloj programi. Kur të kemi një paketë të plotë, atëherë do t’ia paraqesim Ministrisë së Arsimit, në mënyrë që asgjë të mos i lihet në dorë improvizimit”. Tryeza për reformën në sistemin teatror në Shqipëri mbetet e hapur.{:}