Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“Tomka dhe shokët e tij” pritet të niset drejt Amerikës. Filmi i Xhanfize Kekos është përzgjedhur për t’u restauruar si një nga vlerat më të çmuara të Arkivit Shqiptar të Filmit. Procesi është planifikuar të fillojë në mesin e këtij muaji. Në datën 14 nëntor 2013 u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Bibliotekës së Kongresit Amerikan dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit për restaurimin e këtij prodhimi të Kinostudios “Shqipëria e re”, që daton në vitin 1977. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtorja e AQSHF, Elvira Diamanti dhe Roberta Shaffer, bibliotekare për shërbimet e Bibliotekës së Kongresit. Marrëveshja parashikon prodhimin e një versioni dixhital në “high definition”, me figurë dhe zë të restauruar, i subtitruar në anglisht dhe frëngjisht, si edhe stampimin në formatin 35mm. Mësohet se AQSHF ka përgatitur gjithë dokumentacionin e nevojshëm për dërgimin e elementeve origjinale të figurës dhe zërit në laboratorin e Bibliotekës së Kongresit, të cilat do të shërbejnë si bazë për prodhimin e masterit dhe kopjeve të restauruara, konform të gjitha ligjeve në fuqi për lëvizjen e materialeve origjinale të trashëgimisë kulturore, si: certifikatën e filmit lëshuar nga Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, lejen nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro për nxjerrjen jashtë vendit të elementeve origjinale të filmit. Sa i takon transportit të “Tomkës” drejt laboratorit të Bibliotekës në Culpeper, Virginia, pritet mbështetja e Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila ka ndihmuar në restaurimin e filmit “Nëntori i dytë”.{:}