Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Dita Ndërkombëtare e Përkthimit zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe promovon moton e një kalendari veprimtarish gjithëvjetore. Disa prej tyre janë: ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në orën 10.00 do të jetë prezente në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, ku do të zhvillojë një bashkëbisedim me nxënës të kësaj shkolle për rëndësinë e përkthimit si art krijimi, por dhe për cilësinë e prurjeve në shqip të veprave letrare botërore, që kërkojnë në mënyrë urgjente përgatitjen dhe kualifikimin e një brezi të ri të përkthyesve, që sot janë në fillimet e tyre në bankat e shkollës. Më pas në bashkëpunim me POETEKA-n do të realizohet një takim me përkthyes, miq të letrave dhe dashamirës të letërsisë. Gjithashtu do të përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes, mjeshtri i përkthimit Vedat Kokona, një kolos i papërtuar në punëtorinë e përkthimit. Disa nga përkthimet e Kokonës janë: “Ana Karenina”, “Saga e Forsajtëve”, “David Koperfildin” etj. Për herë të parë do të prezantohen dorëshkrime origjinale të përkthyesit, letërkëmbimi me piktorin Sadik Kaceli dhe letra të punës së tij të përditshme. Si çdo vit, këto veprimtari zhvillohen nën emrin e Shën Jeronimit, shenjtit mbrojtës të përkthyesve, si një akt nderimi ndaj përkthyesve, kontributit të tyre në komunikimin ndërkulturor, si dhe promovon emrat e rinj në zejen e përkthimit, si një art krijues. Përmes kësaj mbrëmjeje edhe Tirana i bashkohet gjerdanit të veprimtarive që organizohen në të gjitha qendrat e kulturës botërore, në ditën kushtuar përkthyesve dhe përkthimit. Ky aktivitet do të zhvillohet në  Tirana Backpacker Hostel.{:}