Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Vila 31, ish-vila e diktatorit Enver Hoxha do të përfshihet në një projekt artistik që do ta shndërrojë atë në një rezidencë arti.

Në praninë e Presidentit të Republikës Franceze z. Emnamuel Macron, kryeministrit shqiptar z. Edi Rama, ministres franceze të Kulturës znj. Rima Abdul-Malak, asaj shqiptare znj. Magariti dhe artistëve të ftuar u nënshkrua marrëveshja për zhvillimin e projektit artistik “Vila Art Rezidencë Tirana” në Vilën 31 (ish-vila e diktatorit Enver Hoxha).

Marrëveshja u nënshkrua mes Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare

dhe Fondacionit Francez “Art Explora”.

Projekti synon të krijojë një hapësirë për artistët dhe publikun për të shkëmbyer përvoja historike,

kulturore dhe njerëzore në kuadrin e zhvillimit të artit dhe kulturës, në hapësira që gjatë historisë ishin të rezervuara vetëm për një grup të ngushtë njerëzish.

Po ashtu, të transformojë rezidencën e familjes së diktatorit në një mjedis gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues, ku artistë me prejardhje multietnike dhe kulturore mund të bashkohen dhe të shkëmbejnë ide, art, histori dhe solidaritet.

Projekti ka për qëllim zhvillimin e prirjeve kulturore dhe artistike brenda vendit, si dhe përfshirjen e promovimit të vlerave më të mira kombëtare në aspektin rajonal/europian dhe më gjerë, me qëllim krijimin e një hapësire dialogu mbi diversitetin kulturor si një urë lidhëse për adoptimin e praktikave më të mira të rezidencave të artistëve të zhvilluara në vendet e Bashkimit Europian, si një proces paralel ndërgjegjësimi për sfidat e integrimit europian.