Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Lira Pipa është lindur në Tiranë, më 24 Qershor 1991. Prej muajit janar 2024, ajo mban postin e Zëvendësministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Përpara kësaj detyre, nga shkurti 2019, Lira Pipa ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, fillimisht në pozicionin e Drejtorit të Marrëdhënieve me Publikun e më pas si Drejtor Kabineti. Përgjatë veprimtarisë së saj në DPSHTRR, ajo është angazhuar në organizimin e nismave të shumta edukative mbi sigurinë rrugore, projektin RETRO për rijetëzimin e koleksionit të mjeteve historike shqiptare duke e kthyer në një lëvizje kulturore të njohur ndërkombëtarisht, organizimin e dy edicioneve të suksesshme të Automotive Fair I dhe II – panairit më të madh automotiv në Shqipëri, programet menaxheriale për burimet njerëzore, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve përmes komunikimit e marketingut digjital si një qasje inovatore e administratës publike, duke kontribuar në kurimin e imazhit të DPSHTRR, sot një institucion model e shembull suksesi.

E specializuar në fushën ekonomike dhe të marketingut, dhe me një karrierë të pasur në art si fotografe e pjesëmarrëse në Bienalen e Venecias, Lira spikati në admistrimin e suksesshëm të sektorëve që ka drejtuar.

Në vitin 2012, kreu studimet pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës për Administrim Biznesi e po aty, në vitin 2014, përfundoi me rezultate të larta studimet Master në Marketing.

Pas studimeve, ajo është bërë pjesë e programit të bursës “Walter Hallstein”, në Ludwigsburg, Stuttgart, Gjermani, praktikë pune e përvojë e vlefshme për t’u njohur nga afër me bashkinë dhe strukturat lokale, si dhe për programet financiare dhe adresimin e problematikave të qytetit.

Nga nëntori 2013, Lira Pipa ka punuar në studion ligjore “Frost & Fire Consulting” ku është angazhuar për organizimin e dokumentacioneve, raporteve dhe informacionit për kompaninë dhe për klientët, mbajtjen dhe përgatitjen e të dhënave financiare. Nga shtatori 2016, ajo ka dhënë kontributin e saj pranë Drejtorisë së Komunikimit Publik, në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, Bashkia Tiranë për përgatitja e materialeve promovuese dhe audiovizuale mbi eventet e organizuara në Parkun e Madh të Liqenit Artificial, Amfiteatrin e Tiranës, promovimi i aplikacionit “Tirana Ime Outdoor”, nismës “Dhuro një pemë” e shumë nismave të tjera të ndërmarra.