Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim në Zhvillim (AICS) planifikojnë të mbajnë një dëgjesë të dytë publike për Planin e Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit.
Përgatitja e Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik Bylis dhe qytetit antik të Klosit financohet nga Bashkimi Evropian në kuadёr te projektit IPA 2018 “BE pёr Zhvillimin Ekonomik drejtuar nga turizmi, zhvillimi ekonomik dhe vendor me fokus mbi Trashëgiminë Kulturore” i cili zbatohet nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS).
Qëllimi i këtij Plani Menaxhimi është “Të rrisë dhe ruajë përdorshmërinë dhe atraksionin e aseteve të trashëgimisë kulturore në qytetet antike të Bylisit dhe Klosit”.
Vizioni i planit: Ruajtja dhe kultivimi i vlerave të pasura të qyteteve antike të Bylisit dhe Klosit do të kontribuojë në formimin e një modeli frymëzues për zhvillimin e qendrueshëm lokal, edukimin përmes kulturës, dhe rritjen e ofertës turistike, duke garantuar që trashëgimia kulturore të mbetet një burim i identitetit kombëtar për brezat e ardhshëm.
Qëllimi i kësaj dëgjese është prezantimi dhe diskutimi së bashku i vizionit, objektivave të menaxhimit dhe aktiviteteve kryesore të propozuara në Planin e Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit, të tillë si: Ruajtja dhe restaurimi i trashëgimisë kulturore; Përmirësimi i aksesueshmërisë, infrastrukturës civile dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë së pasurisë dhe trashëgimisë kulturore; aktivitete të zhvillimit ekonomik lokal dhe zbatimi i një mënyre administrimi të përshtatshme të vlerave të trashëgimisë kulturore.
Dëgjesa do të zhvillohet më datë 7 Maj 2024, ora 09:30, në hollin koncertor të TKOBP.
Plani menaxhimit te Parkut Arkeologjik Bylis (qytetet antike te Bylisit dhe Klosit 2024-2029) është publikuar në Regjistrin elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike në faqen https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/723

Mendimet, sugjerimet dhe komentet e pjesëmarrësve, ekspertëve të fushës, grupeve të interesit dhe publikut janë të mirëpritura nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit gjatë dëgjesës publike, sikurse dhe mund të dërgohen nga ana e të interesuarve në adresën info@meki.gov.al.

Për t’u bërë pjesë e dëgjesës, nevojitet të regjistroheni në linkun e mëposhtëm.

https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSdyAICcv0CtXAjTn33wu2Pc5IO4SNol5xjJ2NMg5H5R1vYDLA/viewform