Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, për mbrojtjen shoqërore”

E nderuar Kryetare e Seancës

Të nderuar Deputetë,

Të dashur Qytetarë,

Projektligji që po paraqesim për miratim, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë”, ka si qëllim mbrojtjen shoqërore për shtetasit e të dy vendeve, bazuar në përvojën ndërkombëtare dhe legjislacionet respektive në fuqi.

Përmes saj, konfirmojmë edhe një herë vullnetin dhe angazhimin e qeverisë shqiptare dhe qeverisë kroate për thellimin e bashkëpunimit dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve tona diplomatike.

Kroacia, mbetet një partner i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar për Shqipërinë, duke ndarë gjithashtu një prioritet të përbashkët, siç është kontributi për stabilitetin dhe prosperitetin e mëtjeshëm të rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe integrimit në Bashkimin Europian.

Në këtë frymë vjen sot edhe ky projektligj i cili është një garanci më shumë për qytetarët e të dyja vendeve tona.

Ratifikimi dhe më pas zbatimi i kësaj marrëveshjeje, do të garantojë që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dyja vendet.

Gjithashtu, konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura.

Zbatimi i marrëveshjes nuk do të ketë efekt financiar të menjëhershëm, pasi e drejta për përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore shtetasve shqiptare ju lind në një periudhë të dytë, kur ata të kenë mbushur moshën për pension.

Parimet themelore të saj janë:

Trajtimi i barabartë: Ju mundëson shtetasve të kenë të njëjtat të drejta dhe detyrime lidhur me mbrojtjen shoqërore si vendasit;

Përcaktimi i legjislacionit të zbatueshëm: Parashikon zbatimin vetëm të legjislacionit të njërit shtet;

Ruajtja e të drejtave të arritura: parashikon që periudhat e sigurimit të realizuara në një shtet të njihen edhe nga shteti tjetër, me kusht ato të mos mbivendosen;

Eksportim të përfitimeve: nënkupton që çdo person ka të drejtë të tërheqë përfitimin e siguruar kudo ku ai ndodhet.

Totalizim i periudhave: nënkupton bashkimin e periudhave kontibutive për të përmbushur afatin prej 15 vitesh që duhet për tu kualifikuar për të përfituar pension.

Të dhënat e Regjistrit Kombëtar Tregtar referojnë se janë 64 biznese kroate me status aktiv që operojnë në Shqipëri, nga të cilat rezulton se:

· 51 kompani janë 100% të huaja;

· 13 kompani janë me pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj;

Ndërsa mbi 3,000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Kroaci, pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Të nderuar deputetë,

Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar në garantimin e mbrojtjes shoqërore të shtetasve të saj, kudo ku ata jetojnë dhe punojnë.

Nga viti 2005 e në vazhdim kemi nënshkruar një sërë marrëveshjes, si me Turqinë, Mbretërinë e Belgjikës, Hungarisë, Luksemburgut, Çekinë, Gjermaninë, Austrinë, Bullgarinë, Kanadanë, Rumaninë, Kosovën dhe se fundmi edhe me Konfederatën Zvicerane.

Presim hyrjen në fuqi të marrëveshjes me Malin e Zi dhe me Bullgarinë, dhe marrëveshje në proces kemi me Italinë, Poloninë, Spanjën dhe Serbinë duke bërë të mundur që të përfitojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë territorit të vendit. Kanë shprehur dakordësi vende si: Sllovenia, Danimarka dhe Moldavia.

Ambicia jonë e përbashkët është shtimi i numrit të vendeve me të cilat po synojmë të kemi një marrëveshje, ndërsa presim të avancojmë me Italinë dhe pse jo edhe me Greqinë, për të cilat ne si qeveri shqiptare kemi shprehur të gjithë vullnetin e plotë politik për të garantuar të drejtat e mijëra bashkatdhetarëve tanë, që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në të dy anët e kufirit.

Në përfundim të fjalës sime më lejoni t’ju shpreh angazhimin e plotë të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të siguruar një mbrojte të plotë dhe trajtim të barabartë për të gjithë shettasit shqiptarë, sidomos për ata të cilët ndodhen në vendet e Bashkimit Evropian.

Ju ftoj ta miratojmë këtë projektligj!

Faleminderit!