Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
VËLLEZËRIT KODHELI DHE KOLË IDROMENO, Rilindja në Artin Pamor Shqiptar


Muzeu Marubi dhe Instituti i Antropologjisë kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në hapjen e ekspozitës “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar.” kuruar nga Luçjan Bedeni.
Pas vdekjes së Pietro Marubbit (1903), Keli qe bërë pronari i ri i atelierit. Tërmeti i vitit 1905 i cili shkatërroi një pjesë të konsiderueshme të Shkodrës, solli edhe rrënimin e Foto Studio “Marubi”. Është ky momenti kur Kel Marubi vendos të blejë një banesë të re dhe një dyqan në të cilin të rindërtonte nga e para studion e tij. Me një vizion të ri, Keli e shndërroi atelierin në një manifakturë që tregtonte materialet më të mira fotografike që vinin nga Parisi, Viena, Milano e Drezdeni, duke e bërë pikë reference për rajonin. Në vitet 1908-1912 kur flaka patriotike e lëvizjes për pavarësi ishte ndezur, na shfaqet kontributi i Kel Marubit duke dhënë një ndihmë për atdhetarët. Kështu në atelierin me emrin e shqiptarizuar në “Dritëshkroja Marubbi”, themelohet klubi “Gjuha Shqipe” më 29 shtator 1908. Patriotët më në zë të kohës si: Ndoc Çoba, Át Gjergj Fishta, Át Pashko Bardhi, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Matí Logoreci, Fuad Toptani, Lazër Gurakuqi etj. mblidheshin fshehtazi aty për të shpërndarë organet e shtypit të cilat hynin ilegalisht si: “La Nazione Albanese” të Anselmo Lorecchio-s dhe “Albania” të Faik Konicës, duke i mbuluar me shpërndarjen e së përkohshmes “Osmanlí” të xhonturqve të Brukselit.
Ndaj, nuk është e rastësishme që gjejmë kaq shumë patriotë që vijnë për t’u fotografuar nga Keli. Madje fotografive të tyre, Kel Marubi do t’i dedikonte edhe një regjistër të veçantë të quajtur “Njerz në za e sende të kujdesshme”. Në këtë regjistër ai shënon të dhënat e fotografive me rëndësi kombëtare. Vërehet që krahas fotografive emblematike të shkrepura nga vetë Keli, aty ai përfshin edhe fotografitë e riprodhura si “Kongresi dhe Komisioni i Alfabetit” (1908) të shkrepura nga Vëllezërit Manaki. Në këtë regjistër gjenden edhe tre fotografi me rëndësi si: “Kongresi i Elbasanit”, “Profesorat e Shkollës Normale të Elbasanit” dhe “Nxanësit e Shkollës Normale të Elbasanit” të cilat në dukje janë riprodhime. Deri më tani për këto fotografi të publikuara nuk ka patur asnjë informacion se kush mund të ishte autori dhe për rrjedhojë i janë atribuar Kelit. Me digjitalizimin e fototekës së Instituti i Antropologjisë është zbuluar që këto fotografi janë shkrepje të Kolë Idromenos. Kjo gjë përveçse ka sjellë një informacion të ri, na prezanton edhe me imazhe me cilësi të qartë që për vite me rradhë janë publikuar të turbullta për publikun.