Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Në kuadër të Presidencës Shqiptare të dy nismave të rëndësishme ekonomike si Nisma e Evropës Qëndrore (CEI) dhe procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nën kryesimin e Zëvendësministres Znj. Blerta Rama organizoi Konferencën Ndërkombëtare me temën “Rritja e qëndrueshme ekonomike në Evropën Qendrore & Evropën Juglindore dhe në Shqipëri – Diskutimi i strategjive për promovimin e praktikave të qëndrueshme në rrugën drejt integrimit evropian.”
Në këtë aktivitet morrën pjesë përfaqësues të shteteve të Nismës së Evropës Qëndrore, përfaqësues të shteteve pjesë të procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, përfaqësues të nderuar të ambasadave të këtyre shteteve në Shqipëri, politikëbërës, biznese, organizata biznesi dhe dhoma të tregtisë.
Temat kryesore të trajtuara patën në fokus vlerësimin e qëllimit afatgjatë të Integrimit të BE-së dhe ndërlidhja me instrumentat e Tregut të Përbashkët Rajonal (Common Regional Market) dhe Planit të ri të Rritjes (2024-2027), si dhe diskutimin e strategjive për promovimin e praktikave të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit theksoi angazhimin e saj për të vazhduar dhe thelluar procesin e bashkëpunimit me të gjithë aktorët e përfshirë në nismën e Evropës Qëndrore dhe procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si një mundësi të madhe për të përshpejtuar proceset e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe për të avancuar integrimin tonë në strukturat evropiane.