Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Znj. Olta Manjani, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mori pjesë në takimet në Bruksel me Z. Oliver Röpke, President i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, Z. Giulio Venneri, zyrtar i Bashkimit Evropian, si dhe me ekipin e komisionit të Bashkimit Evropian, në prani të Sh.T.Z. Ferit Hoxha, Ambasador në Misionin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, së bashku me ekipin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Drejtorinë e Integrimit në Këshillin e Ministrave dhe përfaqësues të Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, për të diskutuar mbi procesin e ngritjes së Komitetit të Përbashkët Konsultativ me Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian.
Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet BE-Shqipëri dhe rolin e bizneseve, partnerëve socialë dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, platformat e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave mbi mënyrën e funksionimit të Këshillave Kombëtare Ekonomikë dhe Socialë (KES) në vendet anëtare të BE-së dhe Shqipëri.
Në këto takime u dakordësua që brenda muajit Mars 2025 të zhvillohet për herë të parë në Tiranë mbledhja e Komitetit të Përbashkët Konsultativ me Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.
Themelimi i Komitetit të Përbashkët Konsultativ Ekonomik dhe Social BE-Shqipëri është një gur kilometrik në procesin e integrimit, si dhe platforma më e rëndësishme e dialogut social dhe partneritetit ndërmjet bizneseve, punëmarrësve, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, në rrugën drejt Shqipërisë 2030 dhe anëtarësimit me të drejta të plota në BE.